TË FUNDIT

VV mbetet me një deputet më pak: Humolli largohet nesër, del si i pavarur

VV mbetet me një deputet më pak: Humolli largohet nesër, del si i pavarur

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, nga nesër do të jetë deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar vetë deputeti Humolli në një prononcim për lajmi.net, ku ka listuar edhe arsyet pse ka ardhur deri tek ky vendim.

“Arsyet janë se Qeveria aktuale nuk i sheh gjërat qysh i shoh unë, në zhvillimin e vendit dhe mbajtjes së fjalës në raport me qytetarët, mendoj se ka dalë prej atyre gjërave andaj nuk mund të jem më pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes”, ka thënë Humolli.

Ai ka bërë të ditur se të gjitha kërkesat e tij i ka adresuar me kohë edhe tek kryetari i partisë, aktualisht edhe kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, por që nuk ka parë ndonjë reflektim.

“Ka gati që 1 vit që i kom adresu dhe nuk ka ndryshu kurgjo. Kur kam hyrë në listën e Vetëvendosjes kam pasur kërkesat e mija për zhvillimin e bujqësisë për shkak që banorët e fshatrave po largoheshin nga fshatrat dhe kam pasur për qëllim që të investohet në bujqësi që mos të ndodh migrimi i qytetarëve nga fshatrat. Nuk ka ndodh kjo ashtu siç jemi marrë vesh kur kam hy në listë. Kam kërku mos me pas acarime mes shqiptarëve, nuk është arritur kjo përkundrazi e kanë acaru gjendjen, na kanë qit në pozitë të keqe në raport me bashkësinë ndërkombëtare në kohën kur ne është dashur të jemi shumë unik si shqiptar edhe me shtetin shqiptar edhe brenda Kosovës. Gjithashtu edhe për kërkesën që kam pasur për me i garantu një shumice të qytetarëve të Kosovës, për shkak që shqiptarët e Kosovës kanë jetuar në robëri për një kohë të gjatë, ata kanë nevojë me pa kujdesin e shtetit sado që ka qenë diçka shumë simbolike vetëm një shujtë minimale me jau garantu qytetarëve, as këta se ka pa të arsyeshme me fut në buxhetin e Kosovës”, ka deklaruar Humolli.

Ai ka thënë se ka pasur edhe çështje të tjera për të cilat ka pasur mospajtueshmëri mes tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje, e që Humolli ka vlerësuar se është jo-korrekte në raport me qytetarët të cilët kanë votuar për këtë parti.

“Këto që përmenda janë marrëveshje personale, pa i shiku këto problemet tjera për shembull Trust Pensional, problemet e veteranëve të luftës, sigurimin shëndetësor të policisë dhe FSK-së, që janë probleme politike që nuk po ndjejnë përgjegjësi ndaj fjalës së tyre që e kanë thënë gjatë fushatës. Gjatë fushatës kanë thënë se do ta bëjnë Bankën Shtetërore, nuk e kan bo, kanë thënë se do t’i sigurojmë policinë dhe FSK-në me sigurime shëndetësore jetësore, nuk i kanë bo. Po presin me i bo vitin e ardhshëm për me marrë vota se është fundi i mandatit. Ajo më duket jo-korrekte. Ka shumë arsye që ata i shohin gjërat ndryshe, unë i shoh ndryshe”, ka thënë Humolli.

Ai ka thënë se që nga fillimi i vitit 2023, ka njoftuar partinë se nuk do ta votojë asnjë ligj në Kuvendin e Kosovës pa u realizuar premtimi për sigurimin shëndetësorë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe pjesëtarët e FSK-së.

“Prej vitit të ri e këndej unë kam thënë se nuk e votoj asnjë ligj pa e bo sigurimin shëndetësorë për polic dhe FSK-në për shkak se ata po na sigurojnë vendin e jetën tonë, prap nuk e kanë pa të rrugës as mu ul me diskutu. Ju e keni pa që shpesh për një deputet nuk është bërë kuorumi në Kuvendin e Kosovës, ata nuk janë brengos”, ka thënë Humolli.

Ai ka thënë se ka shumë jo-pajtueshmëri mes tij dhe partisë, gjë që e bën të shpresojë se me pozicionimin e tij të ri, mund të reflektojë edhe partia.

Kujtojmë se gjatë muajve të fundit janë shpërfaqur papajtueshmëri të mëdha brenda Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ku së fundi kishte reaguar edhe deputeti Haki Abazi, duke thënë se është i pakënaqur me punën e partisë në raport me premtimet e tyre para se të vinin në pushtet.

Ai kishte drejtuar disa akuza edhe ndaj ministrave të VV-së e deputetëve, ndërsa ka përmendur se ka edhe video-incizime të cilat ende nuk i ka publikuar. /Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *