Koha e bllokimeve duhet t’i lërë vendin kohës së përgjegjësisë, dialogut dhe rezultateve
Politika në Ballkan ka qenë dhe mbetet e ashpër, shpesh e vrazhdë. Mosbesimi i thellë dhe përplasja e vazhdueshme mes forcave politike kanë prodhuar jo rrallë bllokime të gjata, të panevojshme dhe, në raste të caktuara, të vështira për t’u kuptuar.
Pikërisht për këtë arsye kam nënvizuar vazhdimisht se në një demokraci të konsoliduar, negociata nuk është dobësi dhe kompromisi nuk është humbje. Përkundrazi, ato janë instrumentet që i japin politikës mundësinë të kapërcejë konfliktin dhe t’i shërbejë interesit të vendit.
Në këtë këndvështrim, e vlerësoj krijimin e institucioneve të reja në Kosovë, përfshirë zgjedhjen e Presidentes së Republikës dhe miratimin e ndryshimeve lidhur me Dhomat e Specializuara.
Këto zhvillime duhet të jenë më shumë se një zgjidhje e një ngërçi politik. Ato duhet të shërbejnë si një pikënisje për një kulturë të re bashkëpunimi politik.
Kosova nuk ka luksin të mbetet peng i mosbesimit, i përplasjeve dhe i betejave të pafundme politike. Ka nevojë për institucione funksionale, dialog politik dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen.
Dhe ajo e ardhme është e qartë: Kosova duhet të ecë drejt Bashkimit Evropian, aty ku e ka vendin.
Koha e bllokimeve duhet t’i lërë vendin kohës së përgjegjësisë, dialogut dhe rezultateve.
