Strategët e Trumpit në telashe pasi punuan për Dodikun – “as Susie Wiles nuk mund t’i mbrojë”
Dy strategë republikanë të afërt me presidentin amerikan, Donald Trump, James Blair dhe Chris LaCivita, janë përfshirë në një përplasje politike pas raportimeve se kanë punuar për liderin e Republika Srpska-s, Milorad Dodik, dhe partinë e tij SNSD.
Sipas raportimeve në mediat amerikane, dy strategët kanë këshilluar Dodikun dhe SNSD-në para zgjedhjeve në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa një burim republikan e ka përshkruar situatën si aq të rëndë, “saqë as Susie Wiles nuk mund t’i mbrojë”.
Angazhimi i tyre ka shkaktuar pakënaqësi brenda Partisë Republikane, veçanërisht pasi Blair dhe LaCivita janë pjesë e rrethit të ngushtë politik të Trumpit dhe kanë luajtur rol në fushatën e tij presidenciale të vitit 2024.
Trumpi, sipas raportimeve, nuk ishte në dijeni se dy strategët kishin udhëtuar në Republikën Srpska. Pasi mori vesh për angazhimin e tyre, ai publikisht u distancua prej tyre, duke i cilësuar si “konsulentë të jashtëm”.
Trump tha se Blair dhe LaCivita mund të punojnë edhe për klientë të tjerë, por se do të kërkonte të dinte se për kë punojnë dhe do t’i largonte nëse ekziston konflikt interesi, shkruan politico .
Ky qëndrim u konsiderua si një distancim i pazakontë publik nga dy strategë që kanë qenë ndër bashkëpunëtorët e tij më të afërt.
Sipas raportimeve, Blair dhe LaCivita janë përpjekur të sigurojnë mbështetje publike nga bashkëpunëtorë dhe strategë republikanë, ndërsa disa prej tyre kanë dalë në mbrojtje të dyshes.
Në anën tjetër, brenda Partisë Republikane janë shtuar kritikat për angazhimin e tyre jashtë SHBA-së, veçanërisht për shkak të lidhjeve të tyre me administratën e Trumpit.
Raportimet amerikane thonë se dy strategët kanë marrë qindra mijëra dollarë përmes një firme ligjore në Washington, e cila ishte angazhuar nga Qeveria e Republikës Serbe.
Dokumentet e dorëzuara në Departamentin amerikan të Drejtësisë tregojnë se Republika Serbe ka paguar më shumë se katër milionë dollarë për lobistë të lidhur me rrethin politik të Trumpit që nga fillimi i vitit të kaluar.
Rasti ka tërhequr vëmendje edhe në Kongresin amerikan. Kryetari i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, i ka kritikuar republikanët, duke thënë se operativët e tyre kanë “bartur intrigat e tyre dashakeqe në ish-Jugosllavi”. /Telegrafi/
