Haxhiu: Zgjedhja e presidentes së re sjell stabilitet institucional
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova tashmë ka një lajm të mirë për stabilitetin institucional, pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës si presidente e re e Republikës së Kosovës.
Haxhiu i bëri këto deklarata në ceremoninë e organizuar për shënimin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, ku tha se zgjedhja e presidentes së re përkon me një tjetër moment të rëndësishëm për Kosovën.
“Sonte vijmë në këtë festë edhe me një lajm të mirë nga shtëpia jonë, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. E zgjodhëm presidenten e re të Republikës së Kosovës dhe tash do të kemi stabilitet institucional. Ndoshta edhe ambasadori gjerman nuk deshi që ta organizojë festën e ribashkimit të Gjermanisë më tre tetor, duke na pritur neve që ta zgjedhim presidenten e re”, tha Haxhiu.
Ajo theksoi se me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, Kosova ka tashmë një tjetër presidente grua, duke vënë në pah edhe përfaqësimin e grave në udhëheqjen e institucioneve të vendit.
“Presidentja e re, znj. Justina Shiroka Pula, është presidentja e tretë grua, në fakt e katërta, nëse më llogarisni edhe mua si ushtruese detyre të presidentes që isha. Por edhe në kryesinë e Kuvendit, nga gjashtë sa jemi, katër janë gra: përveç meje si kryetare e Kuvendit dhe tri nënkryetare të Kuvendit, mes nesh edhe zonja Emilija Redžepi”, u shpreh ajo.
Duke folur për rëndësinë e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, Haxhiu tha se Gjermania është shembull për peshën që gratë kanë në udhëheqjen e vendit, ndërsa përmendi rëndësinë historike të bashkimit të gjermanëve më 3 tetor 1990.
“Gjermania e njeh mirë peshën e grave në udhëheqje të vendit, por sonte kujtojmë një arritje që i përket të gjithë qytetarëve të saj: bashkimin që u dha fund dekadave të ndarjes dhe u hapi udhë mundësive që shumëkush atëbotë nuk guxoi as t’i parapërfytyronte”, deklaroi Haxhiu.
Ajo tha se bashkimi i Gjermanisë u dha qytetarëve mundësi që më parë u ishin mohuar, duke përmendur lirinë e lëvizjes, vizitat te familjarët dhe të drejtën për të zgjedhur vendin ku do të jetonin.
“Më 3 tetor 1990, gjermanët u bashkuan sërish në një shtet. Për shumë familje kjo do të thoshte se ndarja nuk do të përcaktonte më jetën e tyre. Vizitat te të afërmit, kthimi në vendlindje, mundësia për të zgjedhur ku të jetonin, u bënë pjesë e një lirie që deri atëherë u ishte mohuar”, tha Haxhiu.
