TË FUNDIT

Bllokimi i minatorëve në minierën e Trepçës, ministrja Rizvanolli jep detaje

Një defekt në pajisjet elektrike në minierën e “Trepçës” në Stantërg ka bërë që 63 minatorë të mbeten brenda minierës.

Për situatën ka reaguar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka thënë se, bazuar në informacionet e pranuara nga menaxhmenti i “Trepçës”, minatorët janë në gjendje të mirë.

“Minatorët që ndodhen brenda minierës pas defektit në pajisjet elektrike janë në gjendje të mirë”, ka deklaruar Rizvanolli.

Sipas saj, minatorët janë pjesë e ndërrimit të dytë, i cili përfundon në orën 23:00.

Ndërkohë, ekipet teknike janë duke punuar për sanimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike në minierë.

Rizvanolli ka bërë të ditur se paralelisht është duke u organizuar edhe dalja graduale e minatorëve përmes daljes emergjente.

“Ekipet teknike po punojnë për sanimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit me energji. Ndërkohë, po organizohet dalja graduale e minatorëve përmes daljes emergjente”, ka thënë ajo.

Në vendngjarje ndodhet edhe menaxhmenti i “Trepçës”, ndërsa për situatën janë mobilizuar edhe Policia e Kosovës dhe ekipet e zjarrfikësve.

Deri në këto momente, sipas informatave të menaxhmentit, nuk raportohet për të lënduar dhe gjendja e minatorëve brenda minierës paraqitet e mirë.

Puna e ekipeve teknike po vazhdon për eliminimin e defektit dhe normalizimin e furnizimit me energji elektrike./Telegrafi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *