Pesë gjërat kryesore nga takimi i Ohrit
Pesë gjërat kryesore nga takimi i Ohrit
Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy vendeve.
BE-ja ka thënë se në të palët janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.
Por, edhe kësaj radhe nuk kanë munguar interpretimet e ndryshme të palëve rreth asaj se çfarë marrëveshje është arritur, shkruan REL.
Më poshtë i kemi renditur pesë gjërat kryesore nga rezultati i takimit në Ohër.
1.Marrëveshja nuk është nënshkruar dhe duket se është hequr dorë nga diçka e tillë, edhe pse zyrtarë të BE-së kanë insistuar deri në momentin e fundit në nënshkrim, si të Marrëveshjes, ashtu edhe të aneksit. Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat. Kjo, në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim. Me këtë, kushtëzimi i procesit të integrimeve evropiane me normalizimin e raporteve, bëhet edhe më i qartë, edhe më i gjerë.
2.Nuk do të jetë e lehtë që deklarata e kryediplomatit të BE-së, Josep Borell, ta ketë peshën e marrëveshjes së arritur. Ajo, pa nënshkrim të palëve, nuk është formalisht Marrëveshje ligjërisht obliguese, por është vetëm një deklaratë politike. Prandaj edhe implementimi do të varet nga vullneti politik i palëve, nga presioni politik i bashkësisë ndërkombëtare, më shumë sesa si obligim ligjor. Kjo paraqet sfidë të madhe, sepse palët nuk i kanë zbatuar as obligimet për të cilat e kanë vënë nënshkrimin më parë.
3.Për Kosovën, me rëndësi të veçantë është pjesa e aneksit, e cila sqaron se renditja e pikave në Marrëveshje nuk reflekton prioritetet sipas rëndësisë, dhe se të gjitha pikat duhet të implementohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Pra, nuk do të mund të bllokohet zbatimi i një pike, me arsyetimin se ndonjë tjetër nuk është zbatuar. Kjo vlen edhe për obligimin e Serbisë që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
4.Për Serbinë, rëndësi të veçantë ka kërkesa që Kosova të nisë menjëherë punën për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për serbët në Kosovë. Kjo besohet se ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, edhe pse nuk përmendet me emër, as në aneks, as në Marrëveshje. Megjithatë, në aneks thuhet se kjo duhet të bëhet në përputhje me obligimet nga marrëveshjet nga e kaluara në dialog, që besohet i referohet detyrimit për të krijuar Asociacionin.
5.Edhe pse nuk përmendet fjala “sanksione“, ato janë përfshirë në porosinë se mosimplementimi nga ana e palëve do të ketë pasoja për procesin e integrimeve të tyre në BE, por edhe për asistencën financiare të Bashkimit Evropian. Edhe Kosova, edhe Serbia, janë përfituese të mëdha të ndihmave nga fondet e Bashkimit Evropian, dhe kjo do të rritet edhe më shumë përmes një konference të donatorëve që do të duhej të zhvillohej brenda 150 ditëve. Diçka e tillë është e rëndësishme, sepse BE-ja do të ketë mundësi më të mëdha, sesa në të kaluarën, për të sanksionuar palët, në rast se ato nuk i zbatojnë obligimet e tyre.