TË FUNDIT

Escobar për takimin e Ohrit: Ndoshta nuk do të kemi marrëveshje finale

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, para takimit të 18 marsit në Ohër ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV21.

RTV21: Z. Escobar, faleminderit shumë që ndatë kohë për RTV21.

DAS Escobar: Ju faleminderit juve.

RTV21: Si kanë qenë takimet tuaja. A mund të ndani pak momente nga bisedimet në Beograd dhe Prishtinë.

DAS Escobar: Po. Në të dy shtetet, në të dy kryeqytetet, pata një varg takimesh jo vetëm me liderët qeveritarë, por edhe ata opozitarë, si dhe me figura tjera të rëndësishme. Çka mund të kuptoj nga e tërë kjo është se të dy palët e kuptojnë rëndësinë e ditës së nesërme. Të dy palët e kuptojnë se kjo marrëveshje e mundshme mund të çbllokojë shumë mundësi. Pra, jam paksa optimist.

RTV21: Pra nuk bëhet fjalë për t’i bindur ata?

DAS Escobar: Ka të bëjë me finalizimin e aneksit dhe për të ecur përpara me zbatimin.

RTV21: Iu besoni të dy palëve?

DAS Escobar: Nuk ka të bëjë vërtetë me besimin, por me detyrimet ligjërisht të obligueshme.

RTV21: Z. Escobar cilat janë pritjet tuaja nga takimi në Ohër. A është arritja e marrëveshjes në Ohër më shumë çështje e optimizmit apo realizmit?

DAS Escobar: Absolutisht mendoj se është çështje e realizmit. Pra, të dy palët janë pajtuar me Marrëveshjen Bazë – ato 11 pikët fillestare që janë pranuar, pa ndonjë kusht apo ndryshim dhe tani është çështja e Aneksit të zbatimit. Pra, të gjitha pikët do të përfshihen në Aneksin e zbatimit, por vetëm mbetet se si t’i formulojmë që të bëhen të arritshme.

RTV21: Pra zoti Escobar me sa e kuptoj ju jeni shumë optimist?

DAS Escobar: Rezultate do të kemi, por dëshiroj të tërheq vërejtjen se ndoshta nuk do të kemi marrëveshje finale. Do të punojmë drejt përfundimit të Aneksit, por pres shumë përparim.

RTV21: Z. Escobar pse marrëveshja në tavolinë është zgjidhja më e mirë aktualisht? A është balans i dëshirave të palëve apo është imponim mbi të dyja palët nga bashkësia ndërkombëtare?

DAS Escobar: Shikoni, do t’ju them: kushdo që e shikon këtë marrëveshje, nuk mund të mos befasohet se sa larg shkon ajo. Sa shumë i hap dyert për të dy vendet që të integrohen më afër në strukturat evroatlantike dhe rrjedhimisht në strukturat ndërkombëtare. Pra, nuk do të them se kjo nuk është një ndërmarrje ambicioze. Kjo është mjaft ambicioze. Kjo do t’i sjellë Serbinë dhe Kosovën më afër njëra-tjetrës, më afër rajonit dhe më afër Evropës. Pra, është mjaft e rëndësishme në shumë aspekte. Pra, kjo nuk është ujdia më e mirë, kjo është ujdi shumë e mirë.

RTV21: Pra nëse nuk është zgjidhja më e mirë…?

DAS Escobar: …unë e thash marrëveshje…

RTV21: … a do të thotë kjo se Kosova duhet të bëjë kompromise të tjera?

DAS Escobar: Nuk do t’i quaja kompromise. Gjëja më e rëndësishme që shpresoj Kosova do të sinjalizojë është se qeveria e Kosovës e pranon detyrimin e saj ligjor për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kjo është e rëndësishme. Për Serbinë ka shumë kërkesa të tjera nga të gjitha ato përfiton Kosova. Pra, dëshiroj të shoh pranim të detyrimeve dhe Aneksi do të ofrojë mundësi se si të ecet përpara për të gjitha to.

RTV21: I keni parë këto pranime nga të dyja palët?

DAS Escobar: Pranim nga të dy palët? Dëshironi të thoni njohje nga të dy palët?

RTV21: Jo për njohjen reciproke por për obligimet

DAS Escobar: Do të thosha që të dy palët po e marrin këtë me mjaft seriozitet.

RTV21: Mirë. A ka pasoja për refuzimin e marrëveshjes. Nëse po, cilat do të ishin ato?

DAS Escobar: Më me dëshirë se për pasojat, dëshiroj të flas për përparësitë nga pranimi i saj. E para është se hap dyert për të dy vendet për të ecur më shpejt drejt strukturave evropiane dhe si rezultat duam të shohim mënyrat se si mund të kemi rezultate të menjëhershme. Një gjë që e përmenda me evropianët tani që Kosova e ka liberalizimin e vizave është p.sh. mundësia për të hapur kufijtë ndërmjet Evropës dhe Ballkanit Perëndimor, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për të gjitha vendet e rajonit, që të shfrytëzohet liberalizimi, të shfrytëzohet marrëveshja e nënshkruar në Berlin për lirinë e lëvizjes ashtu që qytetarët e këtij vendi dhe të Serbisë e të rajonit do të mund të përdornin linjat evropiane për të hyrë e dalë nga rajoni; do të mund të përdorni pasaportat tuaja për të kaluar përmes linjave evropiane për pasaportë në Evropë; për të pasur mundësi për t’i kryer ato punë administrative që normalisht do të duhej t’i kryejnë në Evropë – do të mund t’i kryeni këtu dhe të jenë në përputhje me sistemet evropiane. Këtë po e kërkojmë. Këto dyer hapen me këtë marrëveshje. Sa i përket çka ndodh nëse nuk ka marrëveshje: evropianët kanë sinjalizuar se kjo është rruga e tyre e preferuar për integrim evropian dhe ne e mbështesim plotësisht. Është plan i menduar mirë; është marrëveshje e arsyeshme dhe ka mbështetjen e plotë, jo vetëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe të Shteteve të Bashkuara. Ka mbështetjen e plotë dhe nuk do të mund të paramendoja pse dikush do t’ia kthente shpinën një mundësie të tillë të jashtëzakonshme.

RTV21: Përpara se t’ju bëjë presion mbi këtë çështje. A mund të më thoni; ju po flisni për 27 vendet anëtare të BE-së. Por janë 5 vendet anëtare që nuk e kanë njohur. Si përfshini ato në këtë çështje marr parasysh se ka ende shtete që e kundërshtojnë fuqishëm pavarësinë e Kosovës?

DAS Escobar: Në Bashkimin Evropian nuk do të përdorja fjalën ‘kundërshtojnë fuqishëm’. Do të thosha se janë ‘vëmendshëm të interesuar’ se çka do të ndodhë nesër. Ne jemi angazhuar me vendet e Bashkimit Evropian gjerësisht, përfshirë edhe me pese shtetet mos-njohëse, dhe do të thosha që të gjitha vendet e Evropës e kuptojnë rëndësinë e ditës së nesërme.

RTV21: Duke përfshirë Spanjën?

DAS Escobar: Përfshirë Spanjën. Por, më duhet të qartësoj: e kuptojnë se dita e nesërme është historike, por nuk janë shprehur se çka do të bëjnë nëse dështon apo ka sukses. Kjo është bisedë që duam ta bëjmë së bashku me qeverinë e Kosovës.

RTV21: Mirë. A mund të jemi më specifik rreth çështjes nëse diçka dështon nesër. Cilat janë pasojat që Kosova dhe Serbia mund të kenë në rrugën e tyre drejt BE-së.

DAS Escobar: Shiko, nuk ka asgjë specifike, por gjatë vizitës sime këtu me homologët e mi gjerman, francez dhe italian, ishte shumë e qartë se ky është procesi që Evropa e ka trasuar për të dy vendet. Është udhërrëfyes që Evropa ua ka dhënë atyre dhe ata duan të kenë besim se të dy vendet nuk po ia kthejnë shpinën Evropës. Nuk di për pasoja specifike ligjore apo ekonomike, por politikisht pasojat që të dukesh se po i injoron pritjet e partnerëve tuaj më të rëndësishëm – mendoj se kjo është mjaft serioze.

RTV21: Z. Escobar, a mund të llogaris Kosova në anëtarësimin e saj në NATO dhe në Partneritetin për Paqe me këtë marrëveshje?

DAS Escobar: Mendoj se kjo absolutisht e mundshme. Tani, qëndrimi ynë gjithmonë ka qenë dhe ne jemi mbështetësit tuaj më të fuqishëm ndërkombëtar – ne duam që të jeni anëtare e Kombeve të Bashkuara, anëtare e NATO-s, anëtare e Bashkimit Evropian, si dhe e çdo organizate ndërkombëtare ku dëshironi të anëtarësoheni. Kjo marrëveshje nuk është e tillë, por i hap dyert për tërë to.

RTV21: Por kjo marrëveshje është një marrëveshje e ndërmjetme apo diçka që do të shohim ende në një fazë të ardhshme?

DAS Escobar: Shiko, sa i përket marrëveshjes: çka është e rëndësishme nuk është aq shumë çka është shkruar në letër, por trajektorja e marrëdhënies ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Pra, po, ky nuk do të jetë fundi i krijimit të një marrëdhënieje të qëndrueshme, paqësore dhe produktive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në fakt, nuk është fundi i zhvillimeve, i zhvillimeve politike dhe pajtimit të rajonit si i tërë. Është hap i rëndësishëm, të cilin mendoj njerëzit nuk duhet ta humbasin, por ne do të vazhdojmë të investojmë në përpjekjet politike dhe ekonomike për të vënë përpara premtimin se çka është Ballkani Perëndimor. Dhe dëshiroj t’jua përkujtoj se qeveria amerikane nuk e konsideron rrezik Ballkanin Perëndimor, por mundësi. Veçoria përkufizuese e këtij rajoni është mundësitë e forta ekonomike që janë kapitali njerëzor dhe kapitali tjetër që e bëjnë atë pjesën me rritjen më të shpejtë të Evropës. Pra, kjo është pjesë me çka ka të bëjë kjo: kjo ka të bëjë me çbllokimin e atij potenciali që bota ta kuptojë kush jeni njëmend ju: një shoqëri e gjallërishme shumetnike e jo shoqëri që nuk mund të jetojë me njëra-tjetrën, që është e prirur për dhunë dhe që ende është rajon i pashpresë politik. Kjo nuk është çka jeni dhe ky është sinjali më i madh që mund t’ia dërgoni tani botës se mund të jeni pjesëtarë produktivë dhe paqësor të familjes evropiane.

RTV21: Kur ju pyeta nëse kjo është marrëveshje e ndërmjetme, doja t’ju pyesja nëse SHBA-ja ka hequr dorë nga ideja për të pasur njohje reciproke?

DAS Escobar: Jo, jo, aspak. Në fakt, është qëndrimi ynë se të gjitha vendet e rajonit do të duhej ta njohin njëra-tjetrën dhe të kenë marrëdhënie paqësore, produktive dhe të qëndrueshme me njëra-tjetrën.

RTV21: I mund t’i kthehem Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. A mund të ketë një marrëveshje për këtë? A jeni optimist pasi keni vizituar Beogradin dhe Prishtinën?

DAS Escobar: Më duhet t’ju them se tashmë ekziston një marrëveshje për këtë gjë. Është marrëveshja ekzistuese prej para 10 vitesh. Pra, qëndrimi ynë është se është një marrëveshje ekzistuese ligjërisht e obligueshme. Por, duhet të jetë marrëveshje që duhet të negociohet ndërmjet palëve dhe duhet të jetë marrëveshje që nuk ndërhyn me kapacitetet kushtetuese, ligjore ose funksionale të Kosovës dhe që në të vërtetë është për të ofruar shërbime komunale për njerëzit e atyre komunave.

RTV21: A është kjo një diçka që do të çojë drejt një autonomie për serbët në Kosovë? Një lloj autonomie?

DAS Escobar: Do të thosha se do t’ua lejonte atyre që të bashkohen për të gjetur mekanizmat më të mirë për të ofruar shërbime komunale, që janë shërbime që komunat tashmë i ofrojnë. Kjo do të jepte një mundësi për ato komuna që i bashkohen Asociacionit që të gjejnë mënyrat për të bashkërenditur ato shërbime për t’i përmbushur sa më mirë nevojat e njerëzve.

RTV21: A kemi ardhur në një pozitë kur po flasim për çështjen pula apo veja? Çka është e para Asociacioni apo Asociacioni në fund?

DAS Escobar: Asociacioni tashmë është obligim, pra kjo është pjesë e rëndësishme e saj. Kjo do të përforcojë themelet ligjore të Asociacionit por është me rëndësi të vihet në pah – e dini, nuk dëshiroj të dukem kundërshtues kur them se do të ketë Asociacion, por ai shfaqet është në Marrëveshjen e Brukselit, shfaqet në këtë marrëveshje, shfaqet në konkluzionet e Këshillit Evropian, shfaqet në politikat tona. Pra, në thelb, nuk mund t’i ikim nevojës për një Asociacion. Por, gjithashtu besoj se njerëzit e atyre komunave e presin atë, e duan atë, ju nevojitet ai me dy kushte: një, që iu ndihmon për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve komunale dhe dy, që bashkësia ndërkombëtare merr pjesë në këtë zhvillim. Pra, ne do t’i bëjmë të dyja dhe do ta bëjmë që të funksionojë. E vetmja gjë është se duhet ta pranojmë se është obligim.

RTV21: Zoti Lajçak thoni se janë 15…

DAS Escobar: …16. Saktë.

RTV21: … modele. Dua t’ju pyes. Duket se Kurti dhe Vuçiq po përplasen për asociacionin me fuqi ekzekutive ose me një lloj të OJQ-së. A mund të pajtohen këto me 15 modelet e ofruara?

DAS Escobar: Shiko, mendoj se ajo çka z. Lajçak po sinjalizon është se brenda Bashkimit Evropian ka modele të vetë-menaxhimit, vetëqeverisjes, të mënyrave se si grupet pakicë e mbrojnë kulturën dhe gjuhën e tyre e që nuk krijojnë probleme për funksionalitetin. Pra, përderisa kjo marrëveshje shkon përpara dhe përderisa i normalizoni marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, duhet të mbajmë në mend se gjithashtu po i harmonizoni sistemet tuaja me të Evropës ashtu që Asociacioni do të duhet të jetë në përputhje edhe me vlerat dhe sistemet evropiane. Pra, në thelb, nuk mund të jetë asgjë që shkel kushtetutën apo funksionalitetin tuaj. Mendoj se brenda këtij parametri mund të bëhet shumë.

RTV21: Do t’ju citoj: “Asociacioni do të ndodh. Është çështja se cila qeveri e Kosovës do ta zbatojë atë. Më duket sikur ju nuk po i besoni qeverisë Kurti në këtë moment të caktuar. Cila Qeveri do ta zbatojë?

DAS Escobar: Jo. Kjo ishte përgjigjja e një pyetjeje kur njerëzit më pyetën: Çka nëse kryeministri Kurti nuk e pranon atë? Por, në fakt, është obligim të cilin e ka marrë jo një njeri apo një parti, por një organ ndërkombëtar që është qeveria e Kosovës. Pra, shtrohet pyetja se kush do të jetë në krye kur të ndodhë? Sigurisht që pres që do të jetë kjo qeveri sepse na duhet progres menjëherë, por fakti është se për ne ju jeni anëtarë të komunitetit euroatlantik – nuk jeni pjesë të strukturave formale – por nënshkrimi juaj, nënshkrimi i liderëve tuaj të mëhershëm është i vlefshëm për ne, do të duhej të vlejë për ne dhe do të duhej të jetë i vlefshëm edhe për ju. Pra, çështja është se si të arrijmë aty duke e ditur se ky është fakt që do të ketë një Asociacion.

RTV21: Por liderët e dikurshëm tani po e kundërshtojnë. Partitë në opozitë po e kundërshtojnë marërveshjen ndërmjet palëve, dhe ju i keni takuar ata dje dhe ju i keni takuar ata edhe prej një periudhe kohore. Si të ecet tutje me gjithë këtë kundërshtim që e keni parë në terren?

DAS Escobar: Shiko, porosia ime për opozitën ishte e qartë. E kuptoj se për arsye politike ata i kanë dallimet e tyre me kryeministrin. Në Serbi dhe në Kosovë nuk po i kërkoj opozitës që të mbështesin liderët si liderë politikë, por kërkoj që të mbështesin vizionin për vendet e tyre për marrëdhënie paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kjo është porosia që ia dhashë opozitës. Nuk po kërkoj mbështetje për kryeministrin, por për një vizion të një Kosovë që mendoj se e ndajnë shumica e njerëzve në këtë vend.

RTV21: E keni marrë premtimin nga ta?

DAS Escobar: Më me dëshirë nuk do të hyja në diskutime diplomatike me pjesëtarë të një organi politik, por mund të them se unë i dëgjova ata dhe ata më dëgjuan mua.

RTV21: Mirë. Pra a është marrëveshja çështje e miratimit në Parlamentet e Prishtinës dhe Beogradit?

DAS Escobar: Kjo do të varet nga kërkesat kushtetuese pas finalizimit. Por, qëndrimi ynë është se kur të kemi marrëveshje do të duhej të zbatohej. Pra, do të ketë përgjegjësi ligjërisht të detyrueshme për të dy palët.

RTV21: Mirë. Më lejoni t’ju pyes; z. Escobar pjesë e akomodimit është edhe Kisha Orthodoske serbe, në bazë të marrëveshjes së ofruar. Cilat mund të jenë problemet e mundshme marr parasysh edhe shembullin e Malit të Zi?

DAS Escobar: Mendoj se Kisha ortodokse serbe duhet t’i gëzojë të gjitha dhe çdo mbrojtje që iu ofrohen kishave në Evropë dhe që kjo do të duhej të ndodhë.

RTV21: Pra a mund të kemi një autonomi më të madhe për Kishën Ortodokse serbe në Kosovë?

DAS Escobar: Shikoni, nuk dëshiroj të hyj në këtë sepse është ende temë e diskutimeve, por mendoj se mbrojtja e kishave dhe lirisë së fesë në Evropë është dogmë e rëndësishme e vlerave tona dhe jam i bindur se kjo do të pasqyrohet në marrëveshje. Por, po ashtu jam i bindur se kjo pasqyrohet edhe në vlerat e popullit të Kosovës.

RTV21: A do të themi ‘gëzuar” nesër?

DAS Escobar: Shpresoj që mundemi.

RTV21: Ju faleminderit shumë, zotëri. Ju faleminderit për kohën tuaj!

DAS Escobar: Ju faleminderit!/21Media

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *