Maqedonci dhe homologu i tij kroat riafirmojnë thellimin e bashkëpunimit në mbrojtje
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të industrisë së mbrojtjes “EU 4 Defence Readiness – Road Map to Future”, në Zarë të Kroacisë, ku ka diskutuar për sigurinë evropiane dhe zhvillimet e reja gjeopolitike.
Në margjinat e konferencës, Maqedonci u takua me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anušić, me të cilin diskutoi thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.
Sipas Maqedoncit, u diskutua edhe zgjerimi i bashkëpunimit trepalësh Kosovë–Shqipëri–Kroaci në industrinë e mbrojtjes, trajnime, shkëmbim informacioni dhe përballje me kërcënimet hibride.
Në panel, Maqedonci tha se ka ngritur shqetësimet për atë që e cilësoi si “qasje hegjemoniste të Serbisë ndaj fqinjëve të saj”, si dhe foli për hapat e Kosovës në ndërtimin e sistemit të saj mbrojtës.
