Escobar nesër në Prishtinë, misioni dhe agjenda e takimeve një ditë para Ohrit
I dërguari i Posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të premten (nesër) do t’u shkojë në zyrë rend me rend, liderëve të shtetit. Këto takime të tij në Prishtinë, vinë një ditë para takimit të Kurtit me Vuçiqin në Ohër.
Emisari Escobar, ditën do ta nisë me presidenten Vjosa Osmani.
Me fillim nga ora 09:00, Osmani do ta presë Escobarin në Presidencë, derisa takimi do të pasohet me një konferencë për media, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Pas Osmanit, emisari amerikan do të niset drejt Kuvendit të Kosovës, ku në takim do ta presë kryekuvendari Glauk Konjufca.
Në njoftimin për media, bëhet e ditur se ky takim pritet të zhvillohet me fillim nga ora 10:20, transmeton Reporteri.net.
“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, z. Gabriel Escobar” thuhet në njoftim.
Qëndrimin e tij në Prishtinë, Escobar do ta finalizojë me kryeministrin Albin Kurti.
Kryeministri Kurti, do ta presë emisarin amerikan në zyrë të tij në ora 11:00.
Në komunikatën e Kryeministrisë, nuk përmendet se Kurti dhe Escobar do të deklarohen për media.
Ndërkaq, mbrëmjen e së enjtes, emisari i ShBA-ve, Gabriel Escobar, zhvilloi një darkë me opozitën, nisur nga fakti se dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, kanë shprehur rezerva lidhur me propozimin evropian.
Në këtë darkë, që u mbajt në rezidencën e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, prezentë ishin Memli Krasniqi nga PDK, Lumir Abdixhiku nga LDK, dhe Ardian Gjini nga AAK, i cili e zëvendësoi liderin Haradinaj pasi ky i fundit gjendet jashtë shtetit.
Escobar dje dhe sot qëndroi në Serbi, ku paraditen e së enjtes në konferencë për media foli edhe për takimin e 18 marsit në Ohër, teksa tha se nuk pret marrëveshje, por që ajo përfundimtare do të ndodhë brenda vitit.
I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor tha se marrëveshja që tashmë ndodhet në tavolinë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara.
Ndërsa, fakt si fakt të kryer e cilësoi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se asociacioni do të bëhet, por çështja është se sa shpejt do të ndodhë kjo dhe cili model do të aplikohet. /Reporteri.net