Arrestimet e BIA-s, Shala: Serbia po bën luftë hibride ndaj Kosovës
Arrestimet e fundit nga BIA në Serbi po shihen si tentativë për krijim të një lufte hibride dhe dezinformimit kundër sigurisë kombëtare të Kosovës.
Dje, në një operacion të përbashkët që përfshinte BIA-n, Prokurorinë e Lartë Publike në Jagodinë dhe Administratave Policore të Vranjës dhe Jagodinës, D.C. (46) nga Shilova – komuna e Gjilanit u arrestua në Vranjë, ndërsa N.P. (50-vjeçe) nga Jagodina u arrestua në Jagodinë.
Ata dyshohet se kanë ofruar informacione të BIA-s dhe aktiviteteve të tyre operacionale për Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH) të Shqipërisë, Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës, dhe për njësinë e inteligjencës së Policisë së Kosovës.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala tërheq vëmendjen se institucionet tona të sigurisë duhet të jenë më të kujdesshme tash para fushatës zgjedhore në Serbi.
Sipas Shalës, mund të ketë tentativë për stabilizim në formë e një lufte hibride drejt sigurisë kombëtare të Kosovës.
“Institucionet tona të sigurisë duhet të jenë të kujdesshme dhe më të vëmendshme, sepse tanimë në këtë fazë, para fushatës zgjedhore në Serbi, mund të kemi veprime të ndryshme të tentativave për ta destabilizuar në formën e një kampanje të dezinformimit dhe luftës hibride në drejtim të sigurisë nacionale të Republikës së Kosovës nga strukturat e Serbisë”, tha Shala.
Nga eksperti i sigurisë, kjo po interpretohet si kërkesë për justifikim sa i përket aktiviteteve të njëjta të zhvilluara nga institucionet e Kosovës, të cilat kishin qëllim neutralizimin e veprimeve të Shërbimit Informativ të Serbisë në Kosovë.
“Arrestimet e bëra nga inteligjenca e Serbisë, me dyshimin se shtetasit e saj janë bashkëpunëtorë të Shërbimit Informativ Shqiptar, edhe një herë dëshmojnë faktin se Serbia tanimë po kërkon të kërkojë një justifikim të plotë sa i përket këtyre aktiviteteve, të cilat ishin bërë nga ana e strukturave tona të sigurisë në Republikën e Kosovës, duke neutralizuar veprimet e Shërbimit Informativ të Serbisë në Kosovë”, tha ai.
Këto zhvillime zakonisht zgjojnë reagime dhe vlerësohen si tendencë për stabilizim të vendit.
