TË FUNDIT

Islami paralajmëron: Beogradi po përpiqet të ndryshojë narrativën për sulmin në Banjskë

Në përvjetorin e ngjarjeve në Banjskë, eksperti i sigurisë Avni Islami ka reaguar ndaj deklaratave të drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Përmes një postimi në Facebook, Islami ka thënë se deklaratat e Petkoviqit paraqesin, një përpjekje për të ndryshuar narrativën lidhur me sulmin në Banjskë, përmes asaj që ai i cilëson si teknika të dizinformimit dhe propagandës.

Ai ka theksuar se fokusi i Beogradit te rrethanat e vdekjes së tre pjesëtarëve të grupit të armatosur, synon të zhvendosë vëmendjen nga përgjegjësitë që ai ia atribuon organizimit të sulmit.

Islami është shprehur edhe për pretendimet e Petkoviqit lidhur me vrasjen e pjesëtarëve të grupit të armatosur dhe mungesën e transparencës.

Postim i plotë:

Reagim me shkas,

Në përvjetorin e ngjarjeve në Banjskë, deklaratat e drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, shfaqin një përpjekje të pastër klasike për të ndryshuar narrativën e një sulmi të dështuar terrorist përmes teknikave të dizinformimit dhe propagandës asimetrike.

Fokusimi i Beogradit te rrethanat e vdekjes së tre pjesëtarëve të grupit të armatosur nuk është gjë tjetër veçse një tentativë për të shmangur përgjegjësinë kryesore: organizimin, financimin dhe armatosjen e një formacioni paramilitar që cenoi drejtpërdrejt rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke vrarë në krye të detyrës rreshterin e Policisë së Kosovës, Heroin Afrim Bunjaku.

Pretendimet e Petkoviqit për “ekzekutime të të burgosurve” dhe mungesë transparence janë taktika standarde të luftës hibride, të cilat synojnë të viktimizojnë agresorin dhe të ulin besueshmërinë e institucioneve legjitime të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë, të cilat udhëhoqën operacionin në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Pyetjet e tij rreth rolit të EULEX-it apo patologëve serbë injorojnë qëllimisht faktin se Kosova ka sovranitet të plotë juridik dhe profesional për të kryer hetime të pavarura sipas standardeve më të larta evropiane.

Mbi të gjitha, përpjekja për t’i glorifikuar dhe shpallur si “jo-terroristë” personat që u futën me armatim të rëndë ushtarak në veri tregon se Beogradi nuk po kërkon të vërtetën juridike, por po investon në krijimin e një narrative politike të rrezikshme që mbron strukturat kriminale dhe kërcënon stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *