Caktohet seanca e shqyrtimit fillestar në mungesë ndaj Muharrem Ibrajt i akuzuar për veprën penale: Krime lufte kundër popullsisë civile
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, njofton opinionin publik dhe të gjitha mediat se ka caktuar seancën e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale PS.nr.17/2025, e cila ka për objekt shqyrtimi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës – PPS.nr.32/2010 e datës 19.03.2025 kundër të akuzuarit Muharrem Ibraj, për shkak të veprës penale: Krime të luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të ligjit penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.
Gjykata përmes kësaj komunikate i bën thirrje të akuzuarit Muharrem Ibraj që të paraqitet dhe të dorëzohet para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës, në mënyrë që kjo çështje penale të zhvillohet me prezencën e tij në seancën e caktuar të datës 28.09.2026. Gjithashtu, gjykata u bën thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarit, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente.
Njoftohet i akuzuari dhe i gjithë opinioni publik se seanca e shqyrtimit gjyqësor do të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Pallati i Drejtësisë, Hajvali, më 28.09.2026 në ora 09:30 në sallën D17 nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra.
