TË FUNDIT

Nga Nurembergu te Haga: Kur drejtësia ndërkombëtare rrezikon të barazojë viktimën me agresorin

Editorial nga agjencia e lajmeve INA

Ashtu siç vënë në dukje studiuesit e së drejtës ndërkombëtare, pas Tribunalit të Nurembergut dhe Tokios (1945–1948), bota u ballafaqua me dhjetëra luftëra dhe agresione ku asnjë agresor apo udhëheqës i fuqishëm botëror nuk u soll para drejtësisë ndërkombëtare, duke krijuar një standard të dyfishtë global dhe një “lodhje nga tribunalet”.

Edhe kur u ngrit Tribunali për ish-Jugosllavinë (ICTY), i cili dënoi disa zyrtarë të lartë serbë për krimet në Bosnjë e Kroaci, ai la pas një boshllëk dhe një pandëshkueshmëri sistematike për gjenocidin dhe krimet e kryera nga aparati shtetëror serb gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë sfond të dështimeve dhe standardeve të dyfishta ndërkombëtare, u krijuan Dhomat e Specializuara të Kosovës — një institucion me natyrë hibride, që funksionon si pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por që për arsye gjeopolitike dhe sigurie operon fizikisht në ekzil, me një këmbë në vendin tonë dhe me tjetrën në Hagë.

Mirëpo, ky instrument ligjor mbart një defekt thelbësor dhe të papranueshëm: ai ka një mandat ekskluzivisht etnik, pasi gjykon vetëm shqiptarët dhe nuk ka vënë kurrë para përgjegjësisë asnjë kriminel apo zyrtar të aparatit ushtarak e policor serb që kreu masakra mbi popullsinë civile.

Mbi të gjitha, në këtë proces të Dhomave të Specializuara, ku dënimet dhe aktakuzat u ngritën mbi një bazë me jashtëzakonisht pak fakte dhe prova reale, përfshirë edhe dëshmitë e qindra dëshmitarëve shqiptarë, disa prej të cilëve kishin humbur familjarët e tyre gjatë luftës dhe përfunduan duke dëshmuar brenda këtij mekanizmi – gjykata vetë në konstatimet e saj fillore ka pranuar se UÇK-ja nuk ka kryer krime kundër njerëzimit ose ndonjë fushate sistematike kundër një komuniteti të caktuar, duke ruajtur kështu pastërtinë e luftës çlirimtare.

Megjithatë, pavarësisht këtij konstatimi thelbësor që rrëzon pretendimet për ndonjë ndërmarrje të përbashkët kriminale të organizuar, u vendos dënimi i tyre: duke dënuar Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet burgim, dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.

Përmes këtij epilogu, u ndërmor akti më i rëndë i shtrembërimit historik: barazimi artificial i viktimës me agresorin.

Duke dënuar dhe vendosur në bankën e të akuzuarve krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, drejtuesit e një populli që u ngrit për t’u mbrojtur nga shfarosja dhe spastrimi etnik i organizuar nga shteti serb, drejtësia ndërkombëtare dhe mekanizmat e kapur nga presionet politike rrezikojnë të përmbysin të vërtetën historike, duke amnistuar agresorin dhe duke u përpjekur të kriminalizojnë vetë të drejtën e një populli për të jetuar i lirë.

Pikërisht përballë kësaj farse juridike dhe këtij shtrembërimi të së vërtetës, Paneli i Gjykatës së Apelit pranë Dhomave të Specializuara ka detyrimin historik, moral dhe ligjor që ta korrigjojë këtë padrejtësi të thellë brenda strukturës së vet, të rrëzojë këto dënime të pabazuara dhe t’i lirojë ata menjëherë. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi kurrizin e atyre që sollën lirinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *