Hovenier: Asociacioni nuk mund të rinegociohet, sepse ende s’është negociuar
Hovenier: Asociacioni nuk mund të rinegociohet, sepse ende s’është negociuar
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka folur në prag të takimit 18 marsit në Ohër.
Mes shumë çështjesh të diskutuara, ai përmendi edhe çështjen e Asociacionit, teksa në pyetjen nëse si e tillë mund të rinegociohohet, Hovenier potencoi se është e vështirë të rinegociohet diçka që në fakt ende nuk është negociuar, përcjell lajmi.net.
Veç kësaj, ambasadori i ShBA-së tha se kjo është arsyeja pse e kanë inkurajuar Qeverinë e Kosovës që të lëvizë para sa i përket kësaj çështjeje.
“Është e vështirë të rinegociohet diçka e cila ende nuk është negociuar. Andaj, ka ende hapësirë për të themeluar asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe në fakt mendojmë se është prioritet dhe kemi inkurajuar Qeverinë e Kosovës që të lëvizë para me këtë, pa marrë parasysh se çfarë bën apo nuk bën Beogradi. Sepse siç thashë, vizioni ynë është se ky është një obligim ekzistues por edhe do të ishte gjë e mirë për Kosovën”, tha fillimisht ai në ATV.
“Dua të përsëris atë që e ka thënë SHBA-ja në mënyrë të vazhdueshme, se ne i kuptojmë disa prej shqetësimeve që janë ngritur dhe ne besojmë se është shumë e rëndësishme se asociacioni të kontribuojë në funksionimin e duhur të shtetit dhe shoqërisë së Kosovës. Kështu që ne kemi qenë të qartë, ne nuk besojmë se është e duhur për Kosovën që të pajtohet për çkado që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ne nuk besojmë se është e përshtatshme për Kosovën të zbatojë diçka që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Këto janë disa nga udhëzimet”, pohoi tutje.