Pacolli: Kosova nuk po negocion me Beogradin, por me Amerikën dhe BE-në, s’ka marrëveshje pa Asociacion
Pacolli: Kosova nuk po negocion me Beogradin, por me Amerikën dhe BE-në, s’ka marrëveshje pa Asociacion
Kanë mbetur edhe pak ditë deri në takimin e radhës në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti si dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Takimi i dyshes këtë herë nuk do të zhvillohet në Bruksel, siç edhe jemi mësuar.
Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Fqinjësi, Joseph Borrell do të vizitojë Maqedoninë e Veriut përgjatë ditëve të ardhshme dhe me këtë rast do të mundësojë edhe një takim në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
E shtuna e 18 marsit pritet të jetë e një rëndësie të madhe, për shkak të mundësisë së nënshkrimit të planit evropian, në mes palës kosovare dhe asaj serbe.
Në lidhje me këto zhvillime, lajmi.net ka kontaktuar të parin e Aleancës Kosova e Re, njëherësh deputetin e Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli.
Pacolli ka deklaruar se pritjet e tij janë që Kosova të jetë një partner i besueshëm dhe i sinqertë për aleatët gjatë takimit të ardhshëm në Ohër.
“Pritjet e mia janë që Kosova të jetë një partner i besueshëm dhe i sinqertë për aleatët tanë gjatë takimit të ardhshëm në Ohër. Kosova nuk po negocion me Beogradin, por me SHBA-në dhe BE-në dhe ne duhet të mbetemi të besueshëm dhe të përkushtuar ndaj procesit që ata hëngrën duke udhëhequr”,tha Pacolli.
Sipas tij, Kosova duhet të jetë konstruktive dhe të mos jetë ajo që duhet fajësuar nëse procesi dështon.
“Po ashtu Kosova nuk duhet të shkojë me synimin që pala tjetër të mos e pranojë e propozimin, por të jetë konstruktive dhe e hapur me partnerët tanë duke ndarë dhe disktuaur atë që ne si vend synojmë dhe atë që ne nuk e pranojmë në mënyrë të ndershme dhe të sinqertë”,theksoi tutje deputeti Pacolli.
I pari i AKR-së tha gjithashtu se siç duket, Asociacioni është kusht për marrëveshjen Kosovë-Serbi.
“Asociacioni është kusht për marrëveshjen si duket. Nuk besoj që ka marrëveshje pa u qartësu Asociacioni dhe si pikë referuese e kësaj marrëveshje, sa po e kuptoj unë është Asociacioni”,përfundoi ai.
Në takimin e 27 shkurtit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, pala kosovare dhe ajo serbe janë pajtuar në kuadër të planit evropian.
Pavarësisht kësaj, Kurti dhe Vuçiq nuk kanë nënshkraur një plan të tillë.
Pas përfundimit të takimit, kryeministri Kurti pati deklaruar hapur se ishte pro nënshkrimit, por se pala serbe ka kundërshtuar.
Madje ai theksoi se pala serbe ka kërkuar ndryshime në kuadër të këtij plani. Diskutime të shumta në Kosovë pati menjëherë pas këtij takimi. Në Kuvendin e Kosovës partitë opozitare, si PDK dhe LDK kundërshtuan Kurtin duke thënë se ai ka pranuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, apo siç quhej dikur nga ai “Zajednica”.
Këto pati vazhdimisht kanë theksuar se Kurti pranoi të formojë Asociacionin, e këtë gjë e mohoi vetë Kurti.
I pari i Qeverisë së Kosovës deklaroi se nuk pranon diçka që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe se këtë s’do ta bëjë as në vazhdim.
Nga opozita kanë komentuar edhe në lidhje me Nenin 7 të planit evropian.
“Neni 7-Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”,theksohet në këtë pikë të planit evropian.
Çështja e Asociacioni vazhdon të jetë ndër pikat më diskutabile në vend, e gjithë kjo për shkak të mospajtimeve në lidhje me krijimin dhe zbatimin e tij./Lajmi.net/