Hovenier për planin e BE-së: Nuk ka marrëveshje më të mirë, SHBA nuk mbështet mekanizma që janë kundër Kushtetutës
Hovenier për planin e BE-së: Nuk ka marrëveshje më të mirë, SHBA nuk mbështet mekanizma që janë kundër Kushtetutës
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi sjell përfitime reale, praktike, politike dhe ekonomike.
Ai kujtoi se palët e kanë pranuar atë dhe tha se për zbatimin e tij do të diskutohet në fundjavë.
“Më duhet të jem i qartë, SHBA-ja vlerëson se në këtë moment nuk ka një marrëveshje më të mirë në dispozicion. Ky është një hap i rëndësishëm përpara”, tha Hovenier në një takim me gazetarët, të mërkurën në Prishtinë.
Ai tha se fokusi kryesor tani duhet të jetë te “zbatimi i suksesshëm dhe efektiv” i planit.
Ambasadori Hovenier deklaroi së një marreveshje e mundshme do të sjellë përfitime politike dhe ekonomike për të dy vendet.
Në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Hovenier tha se i kuptojnë disa shqetësime, por ShBA nuk mbështet ndonjë mekanizëm që është kundër kushtetutshmërisë së Kosovës.
I pyetur për rezervat që kanë ndaj planit evropian dy partitë më të mëdha opozitare PDK dhe LDK, Hovenier tha se është i bindur që në fund të dy subjektet do të vënë interesin nacional para atij partiak.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, për të diskutuar zbatimin e planit 11-pikësh të BE-së.
Dy udhëheqësit u dakorduan muajin e kaluar se përmbajtja e tij nuk ka nevojë të diskutohet më tej.
Plani i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, por dy vendet do t’i njihnin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat.
Serbia, gjithashtu, nuk do ta bllokonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Plani, po ashtu, u kërkon palëve që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ky asociacion, i dakorduar qysh në vitin 2013, do t’i mundësonte komunitetit serb të menaxhojë çështje të tilla si: zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe planifikimi urban dhe rural në zonat e tyre.
Qeveria e Kosovës refuzon ta formojë, duke argumentuar se asociacionet njëetnike shkelin Kushtetutën e saj dhe kërcënojnë funksionalitetin e shtetit.
Qeveria e Serbisë, në anën tjetër, e sheh Asociacionin si mbrojtje të rëndësishme për serbët në Kosovë.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka paralajmëruar se dy vendet do të përballen me pasoja, nëse nuk e nënshkruajnë planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.
“Komuniteti ndërkombëtar do të përgjigjet në përputhje me rrethanat dhe ne do ta mbështesim më shumë njërën palë dhe do të zvogëlojmë mbështetjen për palën tjetër”, ka thënë Lajçak.