TË FUNDIT

VV mbështet “Marshin për Liri”: Ata që votuan Gjykatën Speciale t’i kërkojnë falje popullit të Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar mbështetjen për “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, duke kërkuar nga deputetët dhe zyrtarët që votuan themelimin e Gjykatës Speciale që të pranojnë, sipas saj, gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe familjeve të pjesëtarëve të UÇK-së.

Në një komunikatë të publikuar më 11 shtator, VV e cilëson themelimin e Gjykatës Speciale si “dëmin më të madh” që i është bërë historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës.

Sipas Vetëvendosjes, krijimi i kësaj gjykate ka vendosur një regjim të jashtëzakonshëm gjyqësor me fokus te pjesëtarët e UÇK-së, ndërsa Serbia dhe strukturat e saj shtetërore që, sipas VV-së, kryen krime në Kosovë kanë mbetur jashtë këtij procesi.

“Gjykata Speciale e ka padrejtësinë në themelin e saj”, thuhet në komunikatë.

VV pretendon gjithashtu se zanafilla e Gjykatës Speciale ka qenë politike dhe e lidh atë me nismën e 15 prillit 2008 në Këshillin e Evropës, ku deputeti rus Konstantin Kosaçev dhe deputeti serb Millosh Aligrudiq u vunë në krye të kësaj nisme, e cila më pas çoi në raportin e Dick Martyt.

Lëvizja Vetëvendosje rikthen në vëmendje edhe pretendimin për trafikimin e organeve, duke theksuar se kjo akuzë kishte ndikuar në krijimin e një klime politike që e vendosi luftën e UÇK-së nën dyshim. Sipas VV-së, kjo çështje sot nuk figuron në aktakuzën ndaj drejtuesve të UÇK-së.

Në komunikatë kritikohet edhe argumenti i përdorur në kohën e votimit të Gjykatës Speciale, se nëse Kosova nuk do ta miratonte atë, Rusia do të mund ta krijonte një gjykatë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Frika prej Rusisë u përdor që Kosova ta miratonte vetë nismën e nisur nga përfaqësuesit rusë e serbë”, pretendon VV.

Sipas partisë në pushtet, ndryshimi i Kushtetutës për themelimin e Gjykatës Speciale është bërë nën trysni, ndërsa paraburgimi shumëvjeçar i të akuzuarve është cilësuar si “dënim para aktgjykimit”.

VV thotë se dëmi nuk është vetëm juridik, por edhe historik, pasi sipas saj drejtues të UÇK-së janë vendosur në bankën e të akuzuarve, ndërsa Serbia vazhdon të mohojë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në fund, Vetëvendosje u bën thirrje atyre që votuan themelimin e Gjykatës Speciale që të distancohen nga vota e tyre.

“Ata që e votuan Gjykatën Speciale duhet të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit tonë, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”, thuhet në komunikatë.

VV njofton se më 12 shtator do t’i bashkohet marshit, të cilin e përshkruan si protestë “për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën e luftës sonë çlirimtare”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *