Egërsia e stimuluar e “Kafshës së xhunglës”!
Dje, me datën 7 shtator 2026, në Beograd u shpalos pamja e vërtetë e shtetit dhe e shoqërisë së indoktrinuar me nacionalizëm ekstrem të Serbisë. Dhejtëra mijë qytetarë të Beogradit dhe jo vetëm u mblodhën për t’i dhënë nderimet e fundit gjenralit famëkeq, Ratko Mlladiç. Në mesin e tyre ishte edhe djali i presidentit aktual të vendit, snajperistit Aleksandër Vuçiq, si dhe personalitete të politikës, qeverisjes, parlamentit, Kishës së Serbisë, akademikë, profesorë etj. Ceremoninë e nderimeve për kasapin e Bosnjës e udhëhoqi vetë kreu i Kihës Ortodokse të Serbisë.
Ditën e djeshme dhe në vazhdim secilit prej nesh na vjen para syve pamja e veprës së Mlladiç – Ata 8300 varret e masakrës së tij në Srebrenicë, si dhe mijëra të të tjerë në të gjithë Bosnjën. Ndërkohë dje viktimat dhe familjet e tyre u fyen deri në palcë nga ai det njerëzish që e nderuan dje Kasapin e Bosnjës, duke e përcjellë në banesën e fundit të tij. Të dy pamjet ishin dhe mbeten të tmerrshme. Masakra e Srebrenicës si akti më i shëmtuar i serbëve dhe shefit të tyre, Mlladiç, nuk paska qenë e mjaftueshme që Serbia si shoqëri dhe me institucionet e saj të jetë e penduar për atë vepër makabre të 11 korrikut 1995. Përkundrazi, Serbia dëshmoi krenari për mizoritë e saj çnjerëzore në katër luftërat e saj të dekadës së fundit të Shekillit XX. Madje me Kosovën po sillet si viktimë! Deri kur?! Derisa të ketë europianë që e mbështesin pa kushte dhe derisa avokat i Serbisë të jetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama!
Në funeralin e Ratko Mlladiç ishte pjesmarrës djali i presidentit Vuçiq. Çfarë ironie! Ishte kjo pjesëmarrje e tij në funeral për të dëshmuar se mizoritë, masakrat, genocidet janë e do të jenë mjeti dhe forma e ardhshme e sjelljes së Serbisë ndaj fqinjëve të saj, shqiptarëve, boshnjakëve dhe popujve të tjerë jo serbë. Ajo pjesmarrje e brezit të pas Srebrenicës në këtë funeral ka në substancë trashëgiminë gjenetike që shoqëria serbe ushqen bazuar në hakmarrje dhe urrejtje. Ndërkaq Brukseli e pret Serbinë në Bashkimin Europian?! Dhe kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, e merr atë në mbrojtje të hapur publike. Askush në Bruksel nuk foli për sanksione kundër Serbisë, si ndëshkim të saj për nderimet që ajo i bëri Hitlerit europian të pas Luftës së Dytë Botërore, Radko Mlladiç! Ama mezi pritën para tri vitesh që ta ndëshkonin Kosovën, pse ajo respektoi ligjin në përpjekje për sovranitet në të gjithë territorin e saj!
Kurse gjatoshi e palloshi shqiptar gjeti sërishmi formulën e shfajësimit të Aleksandër Vuçiq. “E di që Serbia është një lloj kafshe shumë interesante dhe e çuditshme në xhunglën e Ballkanit, por çfarë është më mirë, ta kesh ulur në tryezë, dhe ti thuash jo….?!”, tha Edi Rama në rastin e nderimeve që iu bënë Mlladiç. Pastaj bëri moral gjeopolitik duke i kujtuar Serbisë se nuk mund të qëndrojë midis Europës, SHBA-ve. Rusisë, Kinës apo Vietnamit?! Një ngjarje të shpifur e makabre në mes të Ballkanit ai e mori me humor, duke u tallur me kritikat e europianëve për Vuçiq lidhur me aleancat e tij. Tallja duket qartë me përmendjen e Vietnamit!
Ndërkohë Edi Rama Ballkanin e konsideroi një xhungël dhe Serbinë e krahasoi me një kafshë interesante e të çuditshme. Konotacioni është i qartë: – I gjithë Ballkani është si Serbia, një xhungël! Por Serbia është ajo që e mban në tutelë si një kafshë e çuditshme këtë xhungël ballkanike. Ndaj dhe Rama rekomandon se “është më mirë ta kesh ulur në tavolinë dhe t’i thuash jo kësaj kafshe – Serbisë”! Nënkuptimi është i lexueshëm: – Ju europianët bëni kujdes! Mos i vini sanksione dhe mos tentoni ta izoloni kafshën e çuditshme, pra Serbinë! Sepse është më keq për ju! Ndërkohë kryeministri shqiptar është jesmeni më i përulur i Beogradit në këtë xhunglën ballkanike.
A ka perversitet më të shpifur se ky? Kryeministri i Shqipërisë mbron hapur kërcënimet e Beogradit kundër vendeve të rajonit, sidomos Kosovës, dhe madje bën thirrje që Serbia të mos ndëshkohet, edhe pse po rikthen xhunglën e tmerrshme të luftërave, masakrave dhe genocidit serb kundër muslimanëve, shqiptarëve dhe popujve të tjerë. – Mbajeni në tavolinë, thotë sot Rama për Serbinë dhe Aleksandër Vuçiq! E ndërkohë në qershorin e vitit 2023, kur u konstituan kryetarët shqiptarë të komunave në veri, ai ishte i pari që bëri thirrje për izolimin e Kosovës. Çfarë paradoksi dhe tradhtie ndaj Kosovës! Çfarë turpi për të gjithë ne shqiptarët që pranojmë sharlatanë të tillë t’i kemi në krye të qeverisë! Çfarë katastrofash të tjera do të na sjellë kjo monstër anti-shqiptare e pro-serbe e shekullit të 21-të?! Eshtë e tmerrshme dhe e papranueshme! Por është një realitet, të cilin e kemi para syve!
Nderimi që iu bë Radko Mlladiç kësisoj solli në vëmendje edhe njëherë dyftyrësinë e Europës institucionale dhe pafytyrësinë e kreut të ekzekutivit shqiptar. E vetmja gjë pozitive që ka ndodhur kësaj here është fakti se ndoshta kjo ngjarje bëhet burimi i vetëdijësimit tonë që së bashku me boshnjakët dhe kroatët të shtrëngojmë radhët tona për ta përballuar me sukses një aventurë të re të ushtrisë dhe politikës e shoqërisë serbe. Nëse dikush ishte tulatur në iluzionin e paqes dhe të imazhit se “Serbia kishte ndryshuar”, tashmë është shumë e qartë se ka ndodhur e kundërta. Ish-snajperisti që vriste muslimanë, sot është president i Serbisë. Ai jo vetëm nuk do të bëjë paqe, por i ka injektuar luftën dhe hakmarrjen edhe birit të tij! Prandaj mos shpresoni se kafsha e xhunglës është zbutur!
