TË FUNDIT

Gazmend Halilaj: Mandati i deputetëve nuk “digjet”, Kushtetuta mbi pazaret politike

Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se mandatet e deputetëve tashmë janë “djegur”, duke e konsideruar jokushtetuese çdo veprim të tyre, përfshirë pjesëmarrjen në seancën e paralajmëruar për 9 shtator.

Avokati Gazmend Halilaj, ka deklaruar për “Bota sot” se mandati i deputetëve nuk mund të konsiderohet i “djegur” vetëm për shkak të moskonstituimit të Kuvendit.

Ai theksoi se mandati përfundon vetëm në rastet e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj, duke akuzuar partitë e vjetra për bllokim institucional.

“Nga këndvështrimi juridik dhe kushtetues, duhet të jemi shumë të qartë: mandati i deputetit nuk mund të quhet i “djegur” vetëm pse Kuvendi nuk është konstituar në kohë.

ImageGazmend HalilajFoto galeri
Mandati i 120 deputetëve buron nga vota e qytetarëve dhe përfundimi i tij mund të ndodhë vetëm në rastet e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj. Këtu nuk ka vend për interpretime politike, për presione apo për kalkulime të partive që kanë humbur besimin e qytetarëve.

Ajo që po shohim është një tjetër përpjekje për ta paraqitur një krizë të krijuar nga papërgjegjësia politike e partive të vjetra si problem të LVV-së. Për vite me radhë kemi parë të njëjtat struktura politike të prodhojnë kriza, pazare dhe bllokada, ndërsa kur qytetarët ua japin besimin ndryshimit, përpiqen ta pengojnë vullnetin e tyre përmes manovrave politike.

LVV-ja ka marrë besimin e qytetarëve dhe ky vullnet duhet të respektohet. Nuk mund të kërkohet nga qytetarët të votojnë dhe pastaj, sa herë që rezultati nuk u pëlqen partive të vjetra, të fillojnë lojërat për bllokim institucionesh”, tha ai.

Halilaj theksoi se Kushtetuta duhet të jetë mbi interesat partiake, ndërsa vota e qytetarëve duhet të respektohet.

Ai deklaroi mbështetjen e tij për LVV-në, duke e përmbyllur me mesazhin: “Kushtetuta mbi pazaret, vota e qytetarit mbi interesin partiak.”

“Si avokat, besoj se Kushtetuta duhet të jetë mbi çdo interes partiak. Por po aq qartë them se pazaret politike të partive të vjetra nuk mund të jenë mbi vullnetin e qytetarëve.

Mandati nuk “digjet” sepse dikush dëshiron ta ndryshojë rezultatin politik. Mandati buron nga vota dhe trajtohet vetëm sipas Kushtetutës.

Koha e pazareve politike duhet të përfundojë. Kosova ka nevojë për institucione që respektojnë votën e qytetarëve dhe jo për parti që kërkojnë ta bllokojnë atë.

Unë do të vazhdoj ta përkrah LVV-në sepse besoj se ndryshimi në Kosovë nuk duhet të ndalet nga interesat e atyre që për dekada e kanë mbajtur politikën peng të pazareve.

Kushtetuta mbi pazaret.

Vota e qytetarit mbi interesin partiak.

Kosova mbi të gjitha”, deklaroi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *