TË FUNDIT

Kurti: Aleanca me SHBA-në e palëkundur, fokus te mbrojtja dhe varrezat masive në Zubin Potok

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një postim në Facebook, ka shkruar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet i veçantë dhe i palëkundur, ndërsa theksoi thellimin e bashkëpunimit në ekonomi, siguri dhe mbrojtje.

Ai tha se gjatë mandatit të kaluar janë investuar rreth gjysmë miliard euro në sisteme armatimi dhe se Kosova ka avancuar në partneritetin e mbrojtjes me SHBA-në.

Kurti njoftoi gjithashtu se në takim ka ngritur çështjen e varrezave masive në Zubin Potok, duke kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë presion më të madh ndaj Serbisë për deklasifikimin e dosjeve ushtarake dhe ofrimin e informacioneve.

Postimi i plotë:

Aleanca dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara është i veçantë dhe i palëkundur dhe do të vazhdojmë ta forcojmë, mbi bazën e vlerave dhe orientimeve tona të përbashkëta.

Sot mirëprita delegacionin e “Atlantic Council 2026 Balkans Forward Fellows”, me të cilët bashkëbiseduam për partneritetin që po thellohet në ekonomi, siguri dhe mbrojtje.

Gjatë mandatit të kaluar, kemi investuar afër gjysmë miliard euro vetëm në sisteme të armatimit, duke arritur një nivel të paprecedentë të partneritetit në fushën e mbrojtjes. Pjesa kryesore e prokurimeve është realizuar përmes programeve Foreign Military Sales (FMS) dhe Direct Commercial Sales (DCS).

Qeveria dhe Kuvendi kanë miratuar gjithashtu dislokimin e një kontingjenti të FSK-së si pjesë e forcës ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza.

Në takim po ashtu ngrita edhe çështjen e zbulimit të varrezave masive në Zubin Potok dhe përsëri u bëra thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ushtrojnë presion më të madh ndaj Serbisë për deklasifikimin e dosjeve ushtarake të arkivuara dhe ofrimin e informacioneve lidhur me këto varreza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *