Jakaj: Joetike nga VV-ja ta kushtëzojë konstituimin e Kuvendit me marrëveshjen për presidentin
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se kishin pritur që sot të konstituohej Kuvendi dhe të nisnin rrjedhjet e afateve për presidentin dhe Qeverinë.
Ai ka deklaruar se është krejtësisht joparimore dhe e padrejtë që Lëvizja Vetëvendosje ta kushtëzojë konstituimin e Kuvendit me marrëveshjen për presidentin.
Gjithashtu, ai e ka quajtur joetike ftesën e Kurtit për kryetarët e PDK-së dhe LDK-së, ku ishte paralajmëruar se do të flitej për propozimet e tyre për nënkryetarë të Kuvendit.
“Nuk do të duhej të kushtëzohej as votimi i nënkryetarëve të propozuar nga partitë. Ishte vetë VV-ja që e ka prishur harmoninë e votimit të nënkryetarëve. Në zgjedhje kemi shkuar për të konstituuar Kuvendin e Kosovës. Prej datës 8 gusht, asgjë s’ka qenë parimore. Nuk është etike që VV-ja ta kushtëzojë konstituimin e Kuvendit me marrëveshjen për zgjedhjen e presidentit, pasi nuk janë të lidhur me njëra-tjetrën”, ka thënë ai.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, ai ka thënë se ishin për t’u përshëndetur vendimet e PDK-së dhe LDK-së për pjesëmarrje në seancë.
Lidhur me deklaratën e Igor Simiqit, ai ka thënë se të njëjtën formë e kishte përdorur edhe në vitin 2021, kur kishte propozuar emrin e nënkryetarit.
Ai ka thënë se nuk do të duhej që sot Kuvendi të bllokohej.
“Kryetarja e Kuvendit do të duhej sot ta vazhdonte seancën dhe jo të priste 48 orë. Sot u tha që nuk votohen nënkryetarët e PDK-së dhe LDK-së për shkak të deklaratave të tyre për mosvotim të presidentit. Jemi në një situatë që po i afrohemi tetorit, kur skadon afati për mandatin e Haxhiut si ushtruese e detyrës së presidentit. Në Kushtetutën e Kosovës nuk janë dy afate. Është një afat gjashtëmujor”, ka thënë ai.
Ka thënë se nga 4 tetori vendi është në një anarki, pasi, sipas tij, Kosova mbetet pa ushtrues detyre të presidentit.
Sipas tij, pas kësaj date, të gjitha dekretet që i nënshkruan Haxhiu sfidohen në gjykatë.
Ai ka thënë se deri në fund të vitit mund të humbin mbi 162 milionë euro nga Plani i Rritjes.
