TË FUNDIT

“Nuk ka Kosovë pa kombin shqiptar”, Mekuli i ashpër pas deklaratës së Simiqit

Analisti Gëzim Mekuli ka reaguar pas deklaratës së deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili gjatë paraqitjes së kandidaturës për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës tha se kandidon “U ime srpskog naroda”, përkatësisht “Në emër të popullit serb”.

Mekuli e ka cilësuar këtë deklaratë si provokuese, duke ngritur pyetjen se pse një përfaqësim i tillë në emër të “popullit serb” tolerohet, ndërsa, sipas tij, përdorimi i një formulimi të ngjashëm në emër të “popullit shqiptar” shihet si i papranueshëm në politikën dhe median kosovare.

“Kushtetuta jodemokratike e Kosovës flet për ‘komunitete joshumicë’, jo për një mandat institucional në emër të një pakice e as të një populli”, ka shkruar Mekuli.

Ai ka kritikuar edhe atë që e quan “frikë” të politikanëve dhe gazetarëve shqiptarë për të përdorur termin “shqiptar” në diskursin publik.

“Pse fjala ‘shqiptar’ është bërë kaq e padëshirueshme dhe kaq frikëprodhuese në politikën zyrtare e mediatike të Kosovës?”, ka pyetur Mekuli.

Më tej, ai ka theksuar rëndësinë e identitetit shqiptar në shtetësinë e Kosovës.

“Nuk ka Kosovë pa komb shqiptar brenda saj; nuk ekziston Kosova si shtet e si krijesë pa përmbajtjen e saj identitare e politike; Shqiptar”, ka shkruar ai.

Mekuli ka kritikuar ashpër edhe heshtjen e institucioneve, opozitës dhe mediave, duke e lidhur këtë situatë edhe me zhvillimet në arsim.

“Igor Simiqi në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës na flet me mentalitetin e Ratko Mlladiqit, Millosheviqit, Vuçiqit e të Ivo Andriqit; ma daji se krejt klasa politike e mediatike shqiptare”, ka deklaruar ai.

“Heshtë media, heshtë shteti, heshtë opozita!”, ka shkruar Mekuli, duke e përmbyllur reagimin me një referencë ndaj rezultateve të Kosovës në PISA: “E rezultati i PISA është dëshmia e kësaj tragjedie; Dekadencë!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *