Asociacioni dhe njohja reciproke: Zbulohen detaje nga qëndrimi që mbajti Abdixhiku në takim me Hovenier
Asociacioni dhe njohja reciproke: Zbulohen detaje nga qëndrimi që mbajti Abdixhiku në takim me Hovenier
Pak ditë para takimit të kryeministrit Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq në Ohër, sot në Prishtinë është zhvilluar një takim mes kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier.
Në komunikatën për media të LDK-së, thuhet se temë diskutimi e takimit ishte pikërisht dialogu dhe përkrahje që “LDK po i jep këtij procesi”, shkruan lajmi.net.
Kjo parti, ka rishprehur qëndrimin se duhet zbatuar edhe marrëveshjet që janë arritur në të kaluarën, e në të cilën pikas Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, shkruan lajmi.net.
“LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi”, thuhet në komunikatë.
Njoftimi i plotë nga LDK:
Sot, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.
Themelet e bashkëpunimit tona janë historike dhe mbi to do të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët.
Gjatë takimit u bisedua për zhvillimet politike në vend dhe procesin e dialogut. Kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin mbi qëndrimin tashmë të bërë publik të Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi procesin e dialogut. LDK-ja i ka dhënë gjithnjë përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja po ashtu mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces.
LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Në takim po ashtu u elaboruan edhe pikëpamjet e LDK-së mbi Preambulën, Nenin 7 dhe Nenin 10 të tekstit të marrëveshjes. /Lajmi.net/