TË FUNDIT

Pjesëmarrje e vogël e qytetarëve në protestën e Asociacionit të Komunave para qeverisë

Me pjesëmarrje të vogël të qytetarëve është duke u mbajtur protesta e Asociacionit të Komunave të Kosovës para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Protesta është thirrur nga Asociacioni për të kundërshtuar, siç është thënë, cenimin e buxheteve, pronës dhe kompetencave të komunave nga niveli qendror.

Në mesin e kërkesave kryesore janë kompensimi i obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive, zbatimi i normës prej 0.5 për qind për përvojën e punës nga buxheti i nivelit qendror, kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, si dhe financimi i drejtë i komunave.

Asociacioni ka kërkuar gjithashtu ndalimin e ndërhyrjeve të nivelit qendror në autonominë lokale.

Megjithatë, numri i qytetarëve që i janë bashkuar protestës është i kufizuar. Krahas përfaqësuesve të komunave, në protestë janë parë edhe deputetë të PDK-së dhe AAK-së.

Ndërkaq, Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, e ka kundërshtuar organizimin, duke e cilësuar atë si të motivuar politikisht.

“Protesta e sotme e disa kryetarëve të komunave nuk e ka hallin e qytetarit, por agjendën e pazarit”, ka shkruar Peci.

Ai ka bërë thirrje që çështjet ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal të zgjidhen përmes dialogut, duke argumentuar se një pjesë e obligimeve financiare të komunave burojnë nga qeverisjet e mëparshme.

Pavarësisht kërkesave të Asociacionit, protesta e sotme nuk ka arritur të mbledhë një numër të madh qytetarësh para ndërtesës së Qeverisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *