TË FUNDIT

Osmani: Modeli aktual për pakicat, më i mirë sesa 15 modelet e propozuara

Osmani: Modeli aktual për pakicat, më i mirë sesa 15 modelet e propozuara

Presidentja Vjosa Osmani është shprehur se model aktuale që ka Kosova për pakicat është më i miri sesa ato 15 modelet e propozuara nga emisari i Bashkimit Evropian për dialog , Miroslav Lajçak.

Ajo tha se Kosova është e gatshme t’i diskutojë këto modele evropiane por jo diçka që rrezikon e cenon funksionimin demokratik të vendit.

Këto komente, presidentja Osmani i bëri pas pjesëmarrjes në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas që po organizohet nga NDI.

“Modelet të cilat janë prezantuar të 15-ta nuk kanë të bëjnë me asociacione janë modele të drejtash për pakicat, pra secila prej tyre janë modele të cilat disa japin më shumë të drejta, në disa modele ka më pak të drejta sesa që tashmë Kosova u jep pakicave apo komuniteteve joshumicë. Ne i kemi analizuar të gjithë këto modele dhe natyrisht ka elemente që mund të merren prej secilës prej tyre, por unë do të thosha sërish që modeli shumë më i mirë se të gjitha ato 15 është modeli aktual që e ka Republika e Kosovës. Megjithatë, ne jemi aty për të diskutuar elemente të tilla në mënyrë që në Kosovë të kemi gjithëpërfshirje, diversitet të vazhdueshëm që multietniciteti të vazhdojë të jetë vlera kryesore e sistemit tonë kushtetues, gjithçka që mund të bëjmë që të garantojmë të drejta përderisa nuk cenohet funksionaliteti i brendshëm i shtetit tonë, ne nuk kemi nevojë që të mohojmë diçka të tillë. Por, modelet janë për të drejtat e pakicave prandaj i studiojmë me shumë kujdes që të shohim se çka janë elementet funksionale dhe ato elemente funksionale pastaj bashkohen të gjitha në një model që mund t’i bien tamam Kosovës por jo diçka që e rrezikon e cenon mënyrën se si funksionon shteti ynë demokratik”, tha ajo.

Sa i takon pritshmërive për takimin e 18 marsit në Ohër, shefja e shtetit, Vjosa Osmani tha se pret nga që faktori ndërkombëtar të bëjë presion mbi Serbinë, që ta bindë kreun e shtetit serb që takimi i Ohrit është momentum i jashtëzakonshëm për të zgjidhur shumë çështje të hapura.

“Ai jep sinjalin që ata nuk kanë ndryshuar dhe nuk e kanë ndërmend të ndryshojnë, pra që kontributi i tyre i vetëm në proces ka qenë obstruksioni dhe kjo nuk është asgjë e re dhe kjo ka ngjarë në këto 12 vite të dialogut edhe atëherë kur kanë nënshkruar marrëveshje, Serbia është kujdesur që të gjejë një mënyrë për mos implementimin e tyre. Derisa tani më shumë se gjysma e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel përfshirë, këto të fundit nuk janë duke u zbatuar nga ana e Serbisë dhe kjo tregon që interesimi i tyre nuk është asnjëherë që të kemi një proces konstruktiv që kontribuon paqes afatgjate. Nuk kemi pritje të mëdha nga ana e Serbisë, megjithatë shpresa ime është që komuniteti ndërkombëtar do të fokusohet me një presion në raport me Serbinë në mënyrë që të bindet edhe Serbia që data 18 mars, takimi që do të ngjanë në Ohër është një momentum jashtëzakonisht i rëndësishëm në procesin e dialogut në mënyrë që në kuadër të kësaj marrëveshje së bashku me një plan zbatimi të zgjidhen shumë çështje të cilat pastaj edhe hapin rrugën drejt njohjes reciproke”, tha ai.

Lidhur me nenin 7, Osmani tha se Kosova ka pranuar koncesione në kudër të kësaj marrëveshje bazë, por që ky nen do të zbërthehet tani në aneksin e zbatimit.

Neni 7 i planit evropian thotë se “të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

Osmani shtoi se angazhimi i Kosovës është që me këtë nen, pakicave t’u garantohen të drejta por pa u rrezikuar Kushtetua, integriteti dhe sovraniteti i vendit.

“Mos harroni se ende nuk është përmbyllur faza e diskutimit dhe sqarimit të dispozitave të kësaj marrëveshjeje bazë për normalizim. Sepse neni 7 do të zbërthehet tani në aneksin e zbatimit dhe në qoftë se do të përbën rrezik a po jo varet nga ne. Varet se si zbërthehen obligimet e nenit 7. I gjithë angazhimi ynë si Republikë e Kosovës është që neni 7 t’u ofrojë komuniteteve pakicave që jetojnë në Kosovë të drejtat që ju ofrojnë edhe instrumentet e Këshillit të Evropës… Siç e përmenda ato ekzistojnë në Kushtetutën e Kosovës, dhe ne jemi të gatshëm që të diskutojmë, por pa e rrezikuar as një moment kushtetutshmërinë e vendit tonë, parimin e sistemit unitar po ashtu funksionalitetin e brendshëm të Kosovës, integritetin territorial e sovranitetin. Këto janë parimet që nuk i shkel e nuk do t’i shkel askush. Janë parime të betonuara në Kushtetutën tonë. Por mos e shihni nenin 7 ashtu vetëm ashtu si lexohet tani në marrëveshjen bazë sepse ky nen së bashku me të gjitha nenet e tjera janë në diskutim e sipër dhe do të diskutohen edhe në Ohër”, tha Osmani.

Shefja e shtetit ka folur edhe për organizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës për çka tha se institucionet e sigurisë po bëjnë përpjekje që të ketë siguri të mjaftueshme për qytetarët në ditën e zgjedhjeve.

Për gjyqtarët e dorëhequr vitin e kaluar, por edhe zyrtarët tjerë, ajo tha se po bëjnë përpjekje demokratike që t’i bindin t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre që garantohen me Kushtetutë.

“Përpjekjet tona janë demokratike që t’i bindim që të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë me ligjet e aplikueshme në Kosovës janë të drejta që nuk mund t’i gjejnë askund në Evropë rrjedhimisht ata duhet t’i shfrytëzojnë këto të drejta në mënyrë që të përfaqësojnë komunitetin që përfaqësojnë në mënyrë sa më të denjë… Institucionet e sigurisë janë duke bërë përpjekjet dhe punën e vazhdueshme në të gjitha këto katër komuna të ketë siguri të mjaftueshme për qytetarët në mënyrë që ata ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe kushtetuese për të votuar. Deri tani nuk kam asnjë letër, asnjë vlerësim, asnjë informatë që do të më çonte tek drejtimi i kundër të që të mendohet diçka ndryshe, të gjitha vlerësimet nga institucionet janë që zgjedhjet të mbahen ashtu siç janë caktuar”, tha Osmani.

Osmani tutje shtoi se nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës deri më tani nuk ka pranuar ndonjë letër që ka të bëjë me dorëheqjet e gjyqtarëve serbë në veri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *