Dreshaj: Ministria e Shëndetësisë me qeverisjen Kurti ka qenë ministri e eksperimenteve
Dreshaj: Ministria e Shëndetësisë me qeverisjen Kurti ka qenë ministri e eksperimenteve
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka kritikuar sot qeverinë për gjendjen në shëndetësi, duke potencuar se Ministria e Shëndetësisë me qeverisjen Kurti ka qenë ministri e eksperimenteve.
Ai, në një konferencë për media, ka potencuar se shëndetësia nuk menaxhohet me ushtrues të detyrave.
“Asnjë dikaster për këtë qeverisje për dy vite nuk mund të merret si mostër për qeverisje të mirë….Ministria e Shëndetësisë me qeverisjen Kurti ka qenë ministri e eksperimenteve duke u ndërruar ministra, duke u ndërruar shefat e departamenteve e madje kishte edhe raste ku këto pozita mbetën bosh për muaj të tërë, e dini rastin e ministrit. Shëndetësia nuk menaxhohet me ushtrues të detyrave dhe të cilët janë të padëshmuar dhe pa përvojë menaxheriale”, ka thënë ai.
Dreshaj është shprehur se pakënaqësitë në shëndetësi deri më tani janë të shumta dhe ka nënvizuar se është penguese në organizim të punës dhe diskrimunese mospagesa e kujdestarive dhe mos stimulimi për rrezikshmëri.
Ai ka potencuar se si AAK qeverisjes Kurti i është tërhequr vërejtja si në Parlament, ashtu edhe në Komisione, “për këtë diskriminim”, i cili dje ka rezultuar me protestën e specializantëve.
“Është mëkat që qytetarët përballen me probleme nga më të ndryshmet në shëndetësinë tonë. Kemi mungesë të infrastrukturës, ku qytetarët përballen me infrastrukturë të vjetëruar dhe jo funksionale. Kemi mungesës të barnave, mungesë të fashave, ku qytetarët detyrohen të kërkojnë edhe lëmoshë për të blerë barna, fasha e infuzione. Kemi lista të pritjes në Qendrën Klinike Universitare, madje më shumë se një vit, ku një qytetar që vuan nga dhimbja e madhe apo sëmundja e rëndë, e cila mund të sjellë vdekjen, duhet të pres 1 vite më tepër për të kuptuar problemin e tij shëndetësor. Ka raste ku qytetarët mund të vdesin ende pa e kryer shërbimin e tyre. Brenga më e madhe…është ikja e mjekëve dhe specialistëve nga vendi ynë, ky për 36 ditët e para të këtij viti 35 mjekë lëshuan Kosovën, ku kjo situatë nuk ka ndodhur as në vitet e 90-ta”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, Dreshaj ka theksuar se si AAK, qeverisë Kurti për të dalë nga situata i rekomandojnë që shëndetësinë ta shndërrojë në prioritet.
“Duhet të fillojë reformën rrënjësore të sistemit shëndetësor, duhet që me urgjencë të bëhet pagesa e kujdestarive…e njëjta vlen edhe pë shërbimin administrativ në mbarë vendin. Urgjent të plotësohet dhe në plotëni për 360 ditë të vitit lisat esenciale dhe qind për qind të furnizimit dhe urgjent duhet të bëhet zvogëlimi i listës së pritjes”, është shprehur Dreshaj.