TË FUNDIT

​Osmani: Kosova ka përkushtim të palëkundur për avancimin e barazisë gjinore

​Osmani: Kosova ka përkushtim të palëkundur për avancimin e barazisë gjinore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur sot se Kosova ka përkushtimin e palëkundur për të avancuar gjithnjë e më shumë barazinë gjinore në vend. Këto komente Osmani i bëri në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas, me temën kryesore “Barabarësia: Parakusht për Ripërtërirje të Demokracisë”.

Presidentja tha se për një demokraci të qëndrueshme duhet avancimi qytetar pa dallim. Sipas saj, kjo pastaj përkthehet në më shumë transparencën dhe llogaridhënien institucionale.

E para e vendit theksoi se Kosova është lidere në rajon dhe me gjerë për barazi gjinore, por që barazia gjinore është mision i përditshëm.

“Një demokraci e mirëfilltë është një demokraci që kontribuuan në mënyrë aktive për përmirësimin dhe avancimin e pozitës së gruas në një shoqëri, një demokraci e shëndosh është një demokraci që frymon mbi parimin e jetësimit të barazisë gjinore. Edhe pse Republika jonë është vetëm 15-vjeçare qytetarët tanë e kanë dëshmuar ndër vite se e kuptojnë rëndësinë esenciale të përfshirjes së gruas në jetën institucionale e publike. Në 15 vite rrugëtim Kosova mbetet vendi lider në rajon dhe më gjerë me dy gra presidente në historinë e saj të re me një përbërje parlamentare që shkon përtej kuotës gjinore, me një qeveri ku gratë janë më të përfaqësuar dhe janë më të fuqishme se kurrë më parë por mbi të gjitha Kosova është sot vendi që e ka përkushtimin e palëkundur për të avancuar gjithnjë e më shumë barazinë gjinore në vend. Realiteti është se angazhimi fatkeqësisht nuk është i njëtrajtshëm. Institucionet të caktuara punojnë me intensitet më të lartë, e disa e kanë marr dukshëm më shtruar këtë çështje. Por, çdo ditë e më shumë po bëhet më e qartë se kur gratë udhëheqin, kur grave u dëgjohet zëri, kur gratë përfshihen në politikëbërje dhe vendimmarrje rezultatet e janë konkrete e progresi është i pashmangshëm”, tha presidentja Osmani.

Drejtoresha e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, ambasadorja Nancy Soderberg u shpreh se qëllimi i Javës së Gruas është që t’i bashkojnë burra e gra për të diskutuar për barazi në të gjitha poret e shoqërisë.

Ajo theksoi se tema e këtij viti ka për qëllim që të theksojë barazinë si një parim që mund t’i anashkaloj pabarazitë ekonomike, sociale e politike dhe për të sjell një demokraci të drejtë dhe të barabartë.

“Ajo që është me rëndësi është se burrat po bëhen pjesëmarrës të rregullt në javën e gruas pasi vetëm gratë nuk mund t’i bëjnë ndryshimet, por as burrat nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë. Për të shkuar në këtë rrugë duhet ta rrisim barazinë mes burrave dhe grave…..Java e gruas këtë vit tema e saj ka qenë barazia parakusht për një ripërtërirje të demokracisë dhe kjo ka për qëllim që të theksojë barazinë si një parim që mund t’i anashkaloj pabarazitë ekonomike, sociale e politike dhe për të sjellë një demokraci të drejtë dhe të barabartë ku të gjithë ndjehen të fuqizuar dhe kanë të drejta të plota”, tha ajo.

Drejtoresha e Misionit të USIAD në Kosovë, Zeinah Salahi deklaroi se përmes Javës së Gruas theksohet përkushtimi për barazinë gjinore dhe bashkon gra e burra për të arritur këtë qëllim.

Ajo tha se bashkë me NDI po punojnë për fuqizimin e grave dhe do ta ndihmojnë Kosovën derisa të ndërtoj një demokraci më të fuqishme dhe më gjithëpërfshirëse.

“Jemi duke punuar së bashku për t’i fuqizuar gratë për fuqizimin e pjesëmarrjes së tyre në proceset politike të Kosovës. Së bashku ne do të fuqizojmë demokracinë se çdo pjesëmarrës këtu do të theksoj aftësitë e tyre dhe do të kontribuoj në strukturën unike për të avancuar politikbërjen në Kosovës….Kosova ka festuar 15 vjetorin e pavarësisë së saj dhe mund të vërtetoj përpjekjet e saj në pjesëmarrjen e gruas në jetën shoqërore. Për 1 vit që kam qenë në Kosovë mund të shoh më shumë gra në politikë vendore kombëtare…megjithatë gratë ende nuk janë të përfaqësuara në të gjitha nivelet të vendimmarrjes, komunitetet joshumicë nuk janë të përfaqësuara si duhet në institucionet e nivelit lokal dhe gjithashtu gratë nuk janë të përfaqësuara në pozitat e larta. Gjithashtu mungojnë disa procese politike dhe gjithëpërfshirëse. Këto tema të rëndësishme do të ndihmojnë që të kemi më shumë demokraci të barabartë dhe të drejtë duke përfshirë balancinë gjinor, pjesëmarrjen e grave në medie pavarësinë dhe fuqizimin e grave”, tha ajo.

Në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas do të jetë pjesëmarrës edhe kryeministri Albin Kurti. Java e Gruas do të zgjasë sot dhe nesër, e cila është mbështetur nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Ambasada e Kanadasë në Kroaci dhe Kosovë.

Përgjatë këtyre dy ditëve në panelet diskutuese do të trajtohet krijimi i ambientit gjithëpërfshirës për rekrutimin dhe mbajtjen e grave dhe të rinjve në partitë politike; lidhshmëria në mes të fuqizimit ekonomik të grave dhe rritjen e numrit të tyre në politikëbërje si dhe përfaqësimit kuptimplotë; progresi i grave në qeverisje lokale dhe çfarë mbetet për t’u bërë tutje nga partitë politike dhe institucionet qeveritare për të siguruar barabarësi; dhuna ndaj grave në politikë dhe përfaqësimi i tyre në media.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *