TË FUNDIT

Deputeti gjerman: Njohja reciproke do bëhet e parëndësishme kur të normalizohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Deputeti nga radhët e socialdemokratëve gjermanë, Josip Juratoviç, në një intervistë për Deutsche Welle, tha se pret që një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet në frymën e kompromisit, por shtoi se pyetja është se çfarë do të ndodhë më pas “sepse ata shpesh kanë bërë kompromise”.

Çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, çështje kjo për të cilën kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç assesi të bien dakord.

Kryeministri Kurti vazhdimisht ka deklaruar se një mekanizëm një-etnik, do ta gjymtonte funksionalitetin e Kosovës multi-etnike, duke trumbetuar kështu “minishtetin” serb në Kosovë, ndërsa presidenti serb e kërkon atë si kusht për të vazhduar dialogu.

Juratoviç theksoi se kryeministri Kurti duhet të vendosë se në cilin kontekst do të organizohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, por se kreu i ekzekutivit kosovar ka të drejtë edhe që ankohet se nuk dëshiron “shtet brenda shtetit”.

“Vuçiç do të duhet të ndalojë së manipuluari me serbët në Kosovë, jo vetëm Vuçiç, por ne e dimë se kush qëndron pas kësaj. Nga ana tjetër, Kosova do të duhet të pranojë faktin se ekziston një komunitet që është i pranishëm dhe duhet të integrohet në Kosovë”, tha Juratoviç.

Në këtë kontekst, deputeti gjerman nënvizoi se me nënshkrimin e marrëveshjes evropiane për normalizimin e marrëdhënieve dhe me ndërveprimin e tyre “në skenën ndërkombëtare, përmes procesit të Berlinit, përmes hyrjes në BE, përmes shumë gjërave të tjera”, çështja e njohjes ose mosnjohjes “do të bëhet e parëndësishme”.

“Kujt i intereson sot mosmarrëveshja mes Sllovenisë dhe Kroacisë, kujt i intereson që çështja e kufirit mes Belgjikës dhe Gjermanisë ende nuk është zgjidhur”, potencoi Juratoviç, teksa shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të jenë më thjesht “kandidatë të përjetshëm”.

“Statusi i kandidatëve të përjetshëm jo vetëm që cenon besueshmërinë e BE-së, por edhe më shumë pozitën e aktorëve pro-evropianë dhe demokratikë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Juranoviç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *