POLITIKATË FUNDIT

Nga Ujmani në Radoniq – po rrënohen ndërtimet pa leje

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka qëndruar sot në zonën e Liqenit të Radoniqit në Gjakovë, ku Inspektorati Mjedisor ka nisur aksionin për rrënimin e disa objekteve të ndërtuara pa leje në pronë publike.

Aksioni ishte paralajmëruar nga Pacolli mëngjesin e sotëm, e cila kishte bërë të ditur se do të udhëtonte drejt Gjakovës për ta përcjellë nga afër ndërhyrjen e institucioneve.

“Rend dhe ligjshmëri në çdo cep të Kosovës!”, kishte shkruar Pacolli.

Ajo kishte theksuar se qëllimi i aksionit është lirimi i pronave publike nga uzurpimet dhe rikthimi i ligjshmërisë.

“Aksioni ynë për vendosjen e ligjshmërisë anë e mbanë Kosovës do të vazhdojë dhe prona publike do të lirohet nga uzurpimet e paligjshme”, kishte deklaruar ministrja.

Më vonë, Pacolli ka publikuar pamje nga vendi i ngjarjes, duke bërë të ditur se aksioni po zhvillohet në zonën e Liqenit të Radoniqit.

Sipas saj, ndërhyrja në Gjakovë është pjesë e një aksioni më të gjerë të Inspektoratit Mjedisor për rrënimin e objekteve pa leje të ndërtuara në prona publike.

Pacolli tha se aksioni kishte nisur fillimisht në veri të vendit, ndërsa tash është shtrirë edhe në Gjakovë dhe do të vazhdojë në zona të tjera të Kosovës.

“Ky aksion për rrënimin e objekteve pa leje në prona publike ka filluar në veri, sot po zhvillohet në Gjakovë dhe do të vazhdojë edhe në pjesë të tjera të Kosovës”, tha Pacolli.

Ministrja e ka paraqitur aksionin si pjesë të përpjekjeve institucionale për vendosjen e ligjshmërisë dhe mbrojtjen e pronës publike nga uzurpimet. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *