“Për Kurtin kishit akuza, për urën e Mitrovicës heshtni!” – Geci me goditje të fortë ndaj opozitës
Halil Geci ka reaguar ashpër ndaj opozitës, duke e akuzuar për standarde të dyfishta në raport me zhvillimet në veri të Kosovës dhe urën e Mitrovicës. Në një reagim në Facebok, ai rikthen në kujtesë qëndrimet e opozitës dhe kritikat e saj ndaj Qeverisë së Albin Kurtit për shtrirjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës në veri, ndërsa thekson se sot, kur situata rreth urës ka marrë një tjetër drejtim, nga opozita, sipas tij, nuk dëgjohet i njëjti zë kritik.
Geci argumenton se kundërshtimi ndaj Kurtit nuk ka qenë gjithmonë i lidhur me përmbajtjen e vendimeve, por me faktin se ato janë ndërmarrë nga ai. Ai e akuzon opozitën se në të kaluarën e ka arsyetuar tërheqjen ose mosveprimin me presionin ndërkombëtar, ndërsa të njëjtën logjikë nuk e ka përdorur kur ka qenë në pushtet, përcjell “Bota sot”.
Duke iu referuar edhe historisë politike të veriut dhe Mitrovicës, Geci kërkon nga opozita të japë përgjigje se çfarë qëndrimi ka sot për praninë dhe autoritetin e shtetit të Kosovës në veri.
Në reagimin e tij, Geci shkon edhe më tej, duke e cilësuar heshtjen e opozitës si dëshmi të një qasjeje politike që, sipas tij, e vendos sulmin ndaj Kurtit mbi interesin shtetëror.
Shkrimi i plotë
OPOZITA DJE KËRKONTE TËRHEQJEN NGA VERIU, SOT HESHT PËR URËN E MITROVICËS!
Në vitin 1999, Thaçi flet për Mitrovicës e ndarë. Sot, pas 27 vitesh, pyetja mbetet: kush punoi për ta kapërcyer ndarjen .
Dje bërtiste “Amerika nuk po na lejon”, ndërsa sot, kur realiteti ndryshon, heshtja e saj tregon se problemi nuk ishte gjithmonë politika e shtetit, por fakti se kush po e bënte atë politikë.
Kur Kosova përpiqej të vendoste sovranitetin në veri, opozita dhe disa zëra ndërkombëtarë kërkonin tërheqjen e Policisë së Kosovës; sot, kur KFOR-i largohet nga ura dhe Evropa e miraton këtë hap, të njëjtët kritikë heshtin.
A ju kujtohet?
Për ata që kanë harruar, po ua përsëris.
A ju kujtohet kur Hashim Thaçi mbante konferenca për media dhe thoshte: “Fatkeqësisht, Mitrovica është e ndarë”, ndërsa përkthyesja Vlorë e përcillte mesazhin dhe ai u bënte apel protestuesve të largoheshin nga ura, duke thënë se çështja ishte nën mbikëqyrjen e KFOR-it.
Dhe sot, pas kaq vitesh, pyetja është e pashmangshme: pse atëherë pushteti i kohës e pranonte praktikisht ndarjen e Mitrovicës nën mbikëqyrjen ndërkombëtare?
Sepse vet Thaçi ishte “agjent i francezëve”
A ju kujtohet se të njëjtën linjë politike e ndiqte edhe LDK-ja e Isa Mustafës?
Por le të vijmë te vitet e fundit.
A e dini çfarë presioni iu bë Albin Kurtit nga faktorë ndërkombëtarë dhe nga opozita vendore për ta tërhequr Policinë Speciale nga veriu?
Në atë kohë, zërat e opozitës dhe disa prej partnerëve ndërkombëtarë kërkonin me ngulm që Policia e Kosovës të largohej. Madje, dukej sikur për disa ishte më e rëndësishme qetësia e momentit sesa vendosja e autoritetit të shtetit në çdo cep të Kosovës.
Kurti bëri një hap pas në atë moment, por nuk hoqi dorë nga ideja e bashkimit.
Ai ndërtoi ura të tjera.
Dhe mesazhi politik ishte i qartë:
“Unë jam për ura që lidhin, jo për barriera që ndajnë.”
Ndërkohë, sot KFOR-i është larguar nga ura e Mitrovicës dhe ky zhvillim është pranuar nga pala evropiane.
Dhe çfarë bën opozita?
Hesht.
Kjo heshtje është shumë më domethënëse sesa gjithë zhurma që bënin dje.
Sepse kur Kurti përpiqej të shtrinte autoritetin e shtetit, bërtisnin: “Largojeni Policinë!”
Sot, kur një zhvillim i ri në urë pranohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë, nuk dëgjohet pothuajse asnjë zë.
Vije pytja ku ishte problemi atëherë?
Problemi nuk ishte vetëm ura.
Problemi ishte te opozita: kur ajo vetë bënte gabime, arsyetohej me fjalët: “Amerika s’po na lë.”
Por sa herë që Kurti ndërmerrte një veprim, kritikohej menjëherë.
Kur vepronte, e kritikonin.
Kur tërhiqej për shkak të presionit, e kritikonin.
Kur ndërtonte ura dhe përpiqej të lidhte Mitrovicën, përsëri e kritikonin.
Pra, për opozitën, problemi nuk ishte gjithmonë se çfarë bënte Kurti, por fakti që atë e bënte Kurti.
Kur Kosova fitonte hapësirë institucionale në veri përsëri kritikohej.
Atëherë, çfarë kërkonte në të vërtetë opozita?
Një Kosovë më të fortë apo vetëm një arsye për ta sulmuar Kurtin?
Mos harroni se për më shumë se dy dekada ju kemi provuar ju që sot bëni opozitën keni pasur mundësi të udhëhiqni këtë vend pos hajnis asgjë tjeter nuk kemi parë nga ju.
Keni qeverisur.
Keni marrë vendime.
Keni negociuar.
Keni bërë marrëveshje.
Dhe, sipas kritikëve tuaj, shumë prej atyre viteve u shoqëruan me keqqeverisje, korrupsion, privatizime të kontestuara dhe keqpërdorim të pushtetit.
Ndërsa kur ju pyesnim se pse ndodhnin gjërat, përgjigjja ishte:
“Amerika e ka në dorë. Çfarë të dojë ajo, atë bëjmë.”
Por a ju kujtohet edhe një gjë tjetër?
Në zemër të Prishtinës, nga zëri i Presidentit Bill Clinton, Kosova mori një mesazh të qartë: “Ne ua sollëm lirinë; ju ndërtoni shtetin dhe paqen.”
Pra, liria nuk na u dha që të mbetemi përgjithmonë të varur nga të tjerët.
Na u dha mundësia të ndërtojmë shtetin tonë.
Sot duhet të ju pyesim
Nëse dje kërkonit që Kosova të tërhiqej nga veriu , sepse “kështu kërkojnë ndërkombëtarët”, pse sot heshtni kur zhvillimet shkojnë në një drejtim tjetër?
Nëse dje e konsideronit të rrezikshme vendosjen e institucioneve të Kosovës në veri, pse sot nuk e pranoni se shteti duhet të jetë i pranishëm në të gjithë territorin e vet?
Dhe nëse sot nuk keni asgjë për të thënë, atëherë mos na tregoni nesër se e keni pasur të drejtë me na tregua prralla me tupan.
Politika nuk është të bërtasësh kur kundërshtari vepron dhe të heshtësh kur realiteti ta rrëzon kritikën.
Politika është të kesh vizion, përgjegjësi dhe kujtesë.
Një këshillë për opozitën
Lëreni djalin të punojë.
Nëse nuk mund ta ndihmoni, të paktën mos e pengoni.
Nëse nuk keni alternativë, mos e quani çdo veprim të ti tradhti.
Dhe nëse pretendoni se dini më shumë për politikën se ai, atëherë tregojeni me një program, jo me britma televizive.
Kosova ka nevojë për opozitë të fortë, por jo për një opozitë që mat çdo gjë me interesin e saj elektoral.
Kosova ka nevojë për njerëz që dinë të ndërtojnë ura politike, institucionale dhe kombëtare ,e jo për njerëz që jetojnë nga ndarjet.
Sepse ura e Mitrovicës nuk është vetëm beton e hekur.
Ajo është simbol.
Dhe historia do ta tregojë se kush ka punuar për t’i lidhur shqiptarët me shtetin e tyre dhe kush ka bërë politikë duke i mbajtur të ndarë.
Kosova nuk ka nevojë për nostalgjikë të ndarjeve.
Kosova ka nevojë për shtet, sovranitet, drejtësi dhe bashkim.
