Perandori arrogant: Viva México
Nga: Daut Dauti
Maximiliani I, më vonë i njohur si Maximiliani I i Meksikës, ka qenë ndër habsburgët tragjikë. Në vitin 1858 e vizitoi Shqipërinë, të cilin vend e përshkruajti si shkretëtirë dhe vend larg civilizimit. Njësoj i ka përshkruar edhe shqiptarët. Është i vetmi edhëpërshkrues që nuk ka asnjë vlerësim pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Shqipëria dhe shqiptarët i kishin impresionuar të gjithë udhëpërshkruesit, por jo Maximilianin. Të vetmen gjë që e kishte përshkruar me një lloj neutraliteti (sa që tingëllon në simpati), janë xhamitë dhe minaret që i kishte vrojtuar në Tivar, Shkodër dhe Durrës. Po në këtë mënyrë i ka përshkruar edhe disa popuj tjerë.
Sidoqoftë, gjashtë vjet pas vizitës së tij në Shqipëri, jeta e tij shumë do të ndryshojë. Duke qenë arrogant dhe duke pasur ambicie të mëdha politike, u bë vegël e francezëve të cilët e kishin okupuar Republikën e Meksikës. Në vitin 1864, Maximiliani e pranoi ofertën e Napoleonit III që të emërohej perandor i Meksikës. Me këtë akt francezët menduan se do ta mbanin Meksikën si shtet në vartësinë e tyre. Por, nuk doli ashtu.
Reklama
Tri vjet më vonë, kur ushtria franceze u largua nga Meksika, Maximiliani besonte se mund të qëndrojë edhe më tutje në pushtet, përkundër faktit se zgjerohej kryengritja popullore meksikane për ruajtjen e pavarësisë dhe sistemit republikan. Ai e nënçmonte fuqinë e popullit meksikan dhe u besonte disa konservatorëve të këtij vendi që kishin dalë në anën e tij e që më herët ishin në përkrahje të francezëve që e donin Meksikën si monarki nën kontroll të Francës. Kryengritësit shpejt e vunë Meksikën nën pushtetin vendorë, e zunë Maximilianin dhe e pushkatuan. Para pushkëve thuhet se Maximiliani kishte brohoritur: Viva México. Dhe, kështu vdiq Maximiliani në moshën 34-vjeçare në një vend të huaj ku mendoi se do të ishte perandor.
Kjo ngjarje kishte jehonë të madhe politike në botë. U bë me dije se popujt më nuk durojnë sundime të huaja dhe janë në favor të republikës, jo të monarkisë, sidomos nëse ajo ishte e huaj. Po ashtu, kjo ngjarje pati ndikim edhe në art. Piktori francez, Édouard Manet, e pikturoi këtë akt duke e bërë art Maximilianin të pavdekshëm në. Në fakt kjo pikturë ishte një lloj imitimi apo inspirimi nga ajo e piktorit Francisco Goya, e titulluar “Tre maji i vitit 1808” ku me anë të një pushkatimi paraqitej rezistenca e meksikanëve ndaj francezëve. Por, ajo që bëri Manet me “pushkatimin e Maximilianit” ishte vazhdimësi e tranfserimit të realizmit në impresionizëm. /Telegrafi/
The post Perandori arrogant: Viva México first appeared on In For.