TË FUNDIT

Rruga që vazhdon të marrë jetë/ Mungesa e mbikalimeve, rreziku i pazgjidhur tash e sa vite në Veternik

Rruga që vazhdon të marrë jetë/ Mungesa e mbikalimeve, rreziku i pazgjidhur tash e sa vite në Veternik

Përpos kolonave që në të shumtën e rasteve kanë shkaktuar “bllokada” në rrugën e Veternikut në Prishtinë, kjo rrugë është shndërruar edhe në një vend tejet të rrezikshëm.

E gjithë kjo për shkak të kalimit të këmbësorëve në një pjesë ku në fakt nuk ka asnjë mundësi kalimi.

Mungesa e mbikalimeve apo nënkalimeve në këtë anë ka bërë që qytetarët të detyrohen që të kalojnë të dy korsitë e rrugës kryesore, për të dalë në anën tjetër.

Madje numri më i madh ia tyre që rrezikojnë për të kaluar rrugën në këtë anë janë të rinjtë, studentë të një prej kolegjeve private që gjendet aty në afërsi.

Kalimi nga ana e kolegjit “Heimerer” për tek ana e “Albi Mall”, bën që rrezikshmëria për humbjen e jetës të jetë çdoherë prezente.

Një rast i tillë ndodhi hiç më larg se të premten që lamë pas. Një këmbësorë u godit për vdekje gjatë mesditës, derisa po kalonte pikërisht këtë anë të rrugës.

Përkundër faktit se shpesh herë aksidente po kaq të rrezikshme kanë ndodhur aty, kalimi i rrugës në të njëjtën mënyrë po vazhdon ende.

Disa fotografi dhe video të publikuara tregojnë vazhdimësinë e kalimit të rrugës, madje shpesh herë në vrap e sipër.

Shumë herë qytetarët kanë reaguar edhe përmes rrjeteve sociale, duke kërkuar që të ndërmerret ndonjë vendim për të rregulluar këtë problem, e që të arrihet deri tek një zgjidhje adekuate.

Në maj të vitit 2020, ministri i atëhershëm i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, pati nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me kryetarin e atëhershëm të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Objekt i këtij memorandumi ishte realizimi i tri projekteve infrastrukturore, mes tyre edhe ai për ndërtimin e mbikalimit për këmbësorë në lagjen Veternik.

Në njoftimin për kontratë të publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik thuhej se ky ndërtim do të kushtojë mbi 1 milion euro.

Shuma e planifikuar për këtë kontratë ishte saktësisht 1 milion e 200 mijë euro.

Ndërsa, financuese e këtij projekti dhe dy të tjerëve të nënshkruar mes Ahmetit dhe Abdixhikut, do të ishte Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit me 1 milion e 500 mijë euro.

Por edhe pse kaluan gati dy vite, punimet për ndërtimin e këtij mbikalimi mbetën vetëm fjalë.

Edhe pse shpresa ishte që Komuna e Prishtinës të arrijë drejt krijimit të një mundësie për këta qytetarë, duket se problemi do të vazhdojë të jetë i njëjtë e rreziku për t’u marrë jetën atyre do të jetë çdoherë aktiv./Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *