Tomë Gashi: Disa ish-politikanë në panik nga publikimet që priten pas 16 shtatorit
Avokati Tomë Gashi ka publikuar një reagim në rrjetet sociale, ku pretendon se disa ish-zyrtarë politikë janë në panik për shkak të zhvillimeve që lidhen me proceset në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Sipas Gashit, një ish-politikan kishte ofruar dëshmi në Prokurori edhe për çështje që, sipas tij, nuk i dinte, duke përmendur rastin e mostrave të Astrit Deharit. Ai pretendon gjithashtu se disa persona janë ftuar nga Prokuroria Speciale në Hagë për të sqaruar deklaratat e tyre publike lidhur me UÇK-në.
Gashi i referohet edhe pretendimeve të Nasim Haradinajt, sipas të cilit disa prej këtyre personave kanë qenë dëshmitarë të Prokurorisë dhe identiteti i tyre pritet të bëhet publik pas 16 shtatorit. Këto janë pretendime të bëra nga Gashi dhe Haradinaj, të cilat nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga institucionet përkatëse.
Postimi i plotë:
Pse jan në panik
Një ish-zyrtari i lartë politik, për të mos mbetur krejtësisht në hije, zakonisht i ofrohet Prokurorisë për të dëshmuar edhe për gjëra që në fakt nuk i di.
Këtë e ka bërë edhe më herët. Ka deklaruar se ka informata se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit, mirëpo në Prokurori nuk ka thënë asgjë konkrete.
Për t’u dukur kinëse më i besueshëm në deklaratën e tij, e cila nuk ka pasur asnjë vlerë juridike, ky ish-politikan në Prokurori është paraqitur me pasaportë amerikane.
Por ky nuk është problemi.
Problemi është se, për shkak të postimeve të tyre, disa persona te ngjajshëm si ai janë ftuar nga Prokuroria Speciale, jo në Prishtinë, por në Hagë.
Disa prej tyre është dashur të shpjegojnë se çfarë kanë pasur parasysh kur kanë bërë postime publike lidhur me atë që e quanin “burgu i Likocit” gjatë luftës.
Të tjerëve u është kërkuar të sqarojnë deklaratat e tyre publike, ku ditë e natë kanë pretenduar se, sipas tyre, UÇK-ja ka kryer krime lufte.
Ka pasur edhe nga ata që, pa u pyetur nga askush në gjykatë, kanë deklaruar se UÇK-ja sipas tijë ka pasur kampe për maltretime në Kosovë dhe në Shqipëri.
Sipas pretendimeve Nasim Haradinajt, disa prej këtyre personave janë identifikuar me emër dhe mbiemër, ndërsa të tjerë pritet të bëhen publikë pas 16 shtatorit.
Gjithashtu, sipas pretendimeve të Nasim Haradinajt, këta kanë qenë dëshmitarë të Prokurorisë dhe jo të mbrojtjes në Hagë. Ai ka deklaruar dhe ka treguar edhe në favor të kujt kanë dëshmuar.
Sipas këtij pretendimi, kjo është arsyeja pse këta persona ndodhen në panik dhe nuk po gjejnë qetësi, pasi, sipas tij, gjithçka do bëhet e ditur.
