Konjufca pret ambasadorin suedez në takim lamtumirës, vlerëson mbështetjen për Kosovën
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim lamtumirës Ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.
Gjatë takimit, Konjufca e falënderoi ambasadorin suedez për angazhimin dhe kontributin e tij gjatë mandatit diplomatik në Kosovë, si dhe për rolin në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë.
Konjufca vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj Kosovës, veçanërisht në fusha të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të partneritetit mes dy shteteve, përfshirë bashkëpunimin në kuadër të perspektivës evropiane të Kosovës dhe zgjerimin e raporteve ekonomike.
Në fund të takimit, zëvendëskryeministri Konjufca i uroi ambasadorit Westerlund suksese në angazhimet e ardhshme, duke shprehur mirënjohje për bashkëpunimin dhe kontributin e tij gjatë shërbimit diplomatik në Kosovë.
