POLITIKATË FUNDIT

Tri kazerma të FSK-së do të ndërtohen me investime milionëshe

Ministria e Mbrojtjes ka hapur një tender me vlerë të përgjithshme prej 3 milionë eurosh për ndërtimin e objekteve në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gjilan, Gjakovë dhe Istog.

Sipas dokumenteve të publikuara në platformën elektronike të prokurimit publik, projekti është planifikuar të realizohet brenda një periudhe trevjeçare dhe është ndarë në tri lote, nga një për secilin objekt që do të ndërtohet në këto tri lokacione.

Vlera e përgjithshme e tenderit është 3 milionë euro, fonde të parapara nga FSK-ja për realizimin e këtij projekti infrastrukturor, i cili synon përmirësimin e kapaciteteve të forcës dhe krijimin e kushteve më të mira për personelin ushtarak.

Sipas përshkrimit të tenderit, operatorët ekonomikë do të kenë mundësi të ofertojnë për secilin lot, në përputhje me kriteret dhe specifikimet teknike të përcaktuara në dosjen e tenderit.

Investimi përfshin ndërtimin e objekteve në kazermat e FSK-së në Gjilan, Gjakovë dhe Istog, ndërsa realizimi i projektit pritet të zhvillohet në faza gjatë tre vjetëve të ardhshëm.

Ky investim është pjesë e përpjekjeve të Ministrisë së Mbrojtjes për modernizimin e infrastrukturës ushtarake dhe rritjen e kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kuadër të investimeve të vazhdueshme në sektorin e mbrojtjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *