“Të neveritshme”, kogresmeni amerikan reagon ashpër ndaj deklaratës së Paunoviqit për Kosovën
Kongresmeni republikan amerikan Joe Wilson ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Ministres serbe të Administratës Publike, Snezhana Paunoviq, duke i cilësuar si “të neveritshme”.
Ai shtoi se deklarata të tilla janë arsyeja kryesore se përse Asambleja Parlamentare e OSBE-së nuk do ta shqyrtojë nëse Beogradi duhet ta organizojë sesionin vjetor për vitin 2027.
“Këto deklarata të neveritshme dhe nxitëse nga një zyrtare e Qeverisë serbe janë pikërisht arsyeja pse Asambleja Parlamentare e OSBE-së nuk duhet ta shqyrtojë kandidaturën e Beogradit për të organizuar sesionin vjetor të vitit 2027. OSBE-ja është krijuar për të ndërtuar konsensus në Evropë, jo për të rindezur tensionet etnike”, ka shkruar ai në X.
Deklaratat e Paunoviq kanë shkaktuar debat të madh. Ajo tha se nëse do të ishte në vendin e Slobodan Millosheviqit në vitin 1998, do të kishte kryer “spastrim etnik” në Kosovë.
Bashkimi Evropian i dënoi menjëherë këto deklarata, duke i cilësuar si të papajtueshme me vlerat evropiane dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës e shpalli Paunoviqin “persona non grata”, duke i vendosur ndalim të përhershëm të hyrjes dhe kalimit transit në Republikën e Kosovës.
