Lajçak pas takimeve me opozitën: I njoftova për procesin e dialogut, ata treguan qëndrimet e tyre
Lajçak pas takimeve me opozitën: I njoftova për procesin e dialogut, ata treguan qëndrimet e tyre
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimeve me krerët opozitarë në Kosovë, tha se i ka informuar ata në detaje për planin e BE-së për dialogun.
Pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Lajçak nuk dha detaje të tjera për dialogun Kosovë-Serbi dhe takimin e radhës të nivelit të lartë. Ai ka thënë se në këtë pikë është mirë që ai të takohet edhe me përfaqësuesit e opozitës në mënyrë që të njoftohen për procesin.
“Mendoj se është e rëndësishme në këtë pikë për mua të takohem me partitë opozitare, dhe jam takuar me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në dhe i kam njoftuar për procesin, për pritjet e Bashkësisë Ndërkombëtare, ata kanë shpjeguar qëndrimin e partive të tyre. Pra, e gjitha është pjesë e përgatitjes për takimin e datës 18. Pra, mendoj që është shumë e rëndësishme që edhe ata të dëgjojnë nga unë, dhe jo vetëm nga media apo nga Kuvendi, prandaj për mua këto takime kanë përmbushur qëllimin”, ka thënë Lajçak.
Kujtojmë se Lajçak po qëndron në Kosovë që nga dita e djeshme, ku edhe ka takuar krerët e shtetit.