Bullgaria shënon 80-vjetorin e shpëtimit të hebrenjve bullgarë
Bullgaria shënon 80-vjetorin e shpëtimit të hebrenjve bullgarë
80-vjetori i shpëtimit të hebrenjve bullgarë nga kampet e vdekjes u përkujtua me mitingje, një minutë heshtje dhe vendosje kurora lulesh në monumentet në të gjithë vendin.
“Shpëtimi i hebrenjve në Bullgari është një fenomen i jashtëzakonshëm”, tha drejtori i Këshillit të Izraelit për Marrëdhëniet me Jashtë (ICFR) dhe kryeredaktori i Gazetës Izraelite për Punë të Jashtme, Dr. Laurence Weinbaum, në një ligjeratë mbi dinjitetin karshi indiferencës dhe dekadencës morale, në konferencën ndërkombëtare me temë “Roli i juristëve për shpëtimin e hebrenjve bullgarë”, mbajtur të enjten në Sofje.
“Shpëtimi i hebrenjve bullgarë ishte një nismë e shoqërisë civile”, kujtoi Weinbaum. Sipas tij, bullgarët me të drejtë janë krenarë për këtë.
“Ne nuk mund të diskutojmë në detaje biografitë e 28 mijë njerëzve, por nëse i shfletojmë shpejt, do të shohim se këta shpëtimtarë ishin nga parti të ndryshme, shtresa të ndryshme të shoqërisë, ata nuk kishin një faktor të vetëm bashkues, njerëzit ishin krejt të ndryshëm”, shtoi Dr. Weinbaum.
“Ne të gjithë duhet të ndjekim dritën që lëshoi Bullgaria gjatë Luftës së Dytë Botërore, është drita që duhet të na udhëheqë”, tha ambasadori izraelit në Sofje, Yoram Elron në hapjen e konferencës.
Ambasadori Elron tha se Bullgaria është ngritur kundër forcave të së keqes gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe është bërë i vetmi vend, në të cilin numri i hebrenjve ka qenë më i madh pas luftës sesa para luftës. Ai vuri në dukje rolin e rëndësishëm të kishës, politikanëve, profesionistëve të ligjit dhe qytetarëve të thjeshtë në shpëtimin e hebrenjve bullgarë.
Por, ai shtoi se nuk duhen harruar as mbi 11,000 hebrenjë në rajonet e Trakisë Perëndimore dhe Maqedonisë së Vardarit të administruar nga bullgarët, të cilët nuk u shpëtuan.
“Tetëdhjetë vjet pas ngjarjeve të vitit 1943, me dhimbje kujtojmë fatin tragjik të 11,343 hebrenjve që nuk ishin shtetas bullgarë dhe më pas banonin në pjesë të Jugosllavisë së atëhershme dhe Greqisë Veriore, të cilët administrata lokale bullgare nuk ishte në gjendje t’i shpëtonte. Ne kujtojmë me dhimbje ato viktima të pafajshme të Holokaustit dhe nuk do t’i harrojmë kurrë”, tha ministri i jashtëm bullgar, Nikolai Milkov, duke folur në hapjen e konferencës.
“Nuk dihet mjaftueshëm për shembullin e ndritshëm të Bullgarisë, që shpëtoi hebrenjtë e saj”, tha zëvendëspresidentja Iliana Iotova, duke folur në konferencën “Roli i juristëve në shpëtimin e hebrenjve bullgarë”.
Sipas saj, ekspertë të ndryshëm, specialistë dhe historianë duhet të bëjnë shumë kërkime mbi faktet, në mënyrë që të dihet me siguri se çfarë ka ndodhur në ato muaj të errët në fund të vitit 1942 dhe në fillim të vitit 1943.
“Tetëdhjetë vjet më parë, Bullgaria arriti të shpëtojë 48,000 hebrenj. Ky akt i paprecedentë regjistroi një nga faqet më të ndritura, jo vetëm në historinë bullgare, por edhe në historinë botërore”, tha zëvendëspresidentja.
Ajo vuri në dukje se në vendet e tjera evropiane kishte akte individuale, njerëz të caktuar, të cilët kishin arritur të shpëtonin mijëra hebrenj, por ajo që ishte e ndryshme në Bullgari ishte se i gjithë populli bullgar ishte ngritur kundër dëbimit, ndërsa përfaqësuesit individualë, emrat e të cilëve dihen, kishin shprehur mendimin jo vetëm të popullit, por edhe të institucioneve.
Forumi është bashkë-organizuar nga ministria e jashtme bullgare dhe ajo e kulturës, Ambasada e Izraelit në Sofje, Shoqata e Prokurorëve në Bullgari, Dhoma e Hetuesve në Bullgari dhe Federata e Sionistëve në Bullgari. Nisma është pjesë e programit kombëtar për shënimin e 80-vjetorit të shpëtimit të hebrenjve bullgarë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe është bashkëfinancuar nga Ministria e Kulturës.