Analistët shpjegojnë pse diaspora vazhdon ta mbështesë Albin Kurtin
Vota e diasporës edhe në këto zgjedhje u dëshmua vendimtare për Lëvizjen Vetëvendosje, duke i siguruar mandate shtesë dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në përbërjen e Kuvendit. Në anën tjetër, partitë opozitare mbetën dukshëm prapa në mbështetjen e mërgatës, duke hapur debat për lidhjen e tyre me qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës.
Në zgjedhjet e 7 qershorit Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë me 42.96 për qind të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend. Megjithëse mbetet partia më e madhe, ajo ka katër mandate më pak krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit, kur kishte fituar 57 deputetë.
Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 21.13 për qind të votave dhe pritet të ketë 22 deputetë, duke ruajtur të njëjtin numër mandatesh si në legjislaturën e kaluar.
Lidhja Demokratike e Kosovës është forca e tretë politike me 17.60 për qind të votave, duke siguruar 18 ulëse në Kuvend, tre më shumë se në zgjedhjet e dhjetorit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila së fundi po prezantohet edhe si Aleanca, ka fituar 7.16 për qind të votave dhe pritet të ketë shtatë deputetë, një mandat më shumë se në legjislaturën paraprake.
Gacaferi: Opozita ka humbur mbështetjen e diasporës për shkak të fyerjeve dhe etiketimeve ndaj mërgatës
Anëtari i Guxo, Luan Gacaferi, në një prononcim për “Bota sot” vlerësoi se diaspora ka luajtur rol vendimtar në thellimin e fitores së Albin Kurti në zgjedhjet e 7 qershorit.
ImageLuan GacaferiFoto galeri
Sipas tij, mërgata mbështet Kurtin sepse e sheh si mbrojtës të interesave shtetërore, ndërsa opozita ka dështuar të fitojë besimin e saj për shkak të retorikës dhe sulmeve ndaj diasporës.
Gacaferi thotë se këto qëndrime i janë kthyer opozitës si “boomerang”, duke ndikuar negativisht si te mërgata ashtu edhe te qytetarët në Kosovë.
“Është e vërtetë që diaspora ka ndikuar në thellimin e fitores së zt. Kurti në zgjedhjet e 7 qershorit, sepse mërgata e sheh Kurtin, njeriun qe i mbron interesat e Kosovës dhe jo interesat personale!
Mërgata nuk ka asnjë interes tjetër përveç interesit shtetëror, prandaj ata as nuk shiten e as nuk blihen!
Partitë opozitare kanë dështuar me mërgatën sepse paguajnë “analistë” qe të dalin çdo natë dhe ta ofendojnë e ta etiketojnë mërgatën me shprehjet ma banale të mundshme!
Opozita përmes analistëve të vet, është munduar të mobilizojë militantët e vet duke e paraqitur mërgatën si rrezikun e shtetit të Kosovës dhe rrezikun numër një të qytetarëve rezident në Kosovë!
Thjesht kjo ndërsyerje e analistëve të vet kundër mërgatës i është kthyer në boomerang jo vetëm nga shtetasit e Kosovës në mërgatë, por edhe nga vet qytetarët e Kosovës që jetojnë në Kosovë, prandaj kanë dështuar turpshëm”, u shpreh ai për “Bota sot”.
Jakupi: Një pjesë e diasporës e sheh LVV-në si një alternativë ndaj elitave të vjetra politike
ImageZejnullah JakupiFoto galeri
Kurse, analisti politik, Zejnullah Jakupi, theksoi se mbështetja e diasporës për Lëvizjen Vetëvendosje buron nga kombinimi i faktorëve politikë, socialë dhe emocionalë.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpteh se shumë mërgimtarë e shohin LVV-në si forcë që përfaqëson ndryshimin, luftën kundër korrupsionit dhe alternativën ndaj partive tradicionale, të cilat janë kritikuar për mungesë reformash dhe qeverisje joefikase.
“Vota e diasporës për Lëvizjen Vetëvendosje nuk mund të shpjegohet vetëm me një faktor të vetëm, por me një kombinim të arsyeve politike, emocionale dhe sociale. Për shumë qytetarë jashtë Kosovës, LVV ka arritur të krijojë imazhin e një force të re politike që përfaqëson ndryshimin, luftën kundër korrupsionit dhe një shkëputje nga partitë tradicionale që kanë dominuar skenën politike për vite me radhë.
Një pjesë e diasporës e sheh LVV-në si një alternativë ndaj elitave të vjetra politike, të cilat shpesh janë kritikuar për korrupsion, mungesë reformash dhe mosadresim të mjaftueshëm të problemeve ekonomike e institucionale. Për shumë mërgimtarë, të cilët jetojnë në vende me standarde më të larta të qeverisjes dhe transparencës, këto tema kanë peshë të madhe”, foli ai.
Sipas analistit Jakupi, opozita ka dështuar të krijojë një lidhje të qëndrueshme me diasporën, duke e trajtuar shpesh atë vetëm gjatë fushatave zgjedhore.
Ai thekson se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë më e suksesshme në komunikimin e mesazheve për drejtësi dhe ndryshim, ndërsa partitë tradicionale duhet të ndërtojnë më shumë besim me mërgatën, e cila tashmë është një faktor i rëndësishëm politik në Kosovë.
“Në anën tjetër, partitë opozitare mund të kenë dështuar në krijimin e një lidhjeje më të qëndrueshme me diasporën. Shpesh marrëdhënia e tyre me mërgatën është parë më shumë si një mobilizim elektoral në kohë zgjedhjesh, sesa si një partneritet afatgjatë. Diaspora nuk kërkon vetëm të votojë, por të ndihet pjesë e vendimmarrjes dhe e zhvillimit të vendit.
Një faktor tjetër është edhe komunikimi politik. LVV ka qenë më e suksesshme në ndërtimin e një narrative që lidhet me drejtësinë, barazinë dhe ndryshimin, tema që kanë rezonuar veçanërisht me një pjesë të diasporës së re. Ndërsa partitë tradicionale shpesh kanë vazhduar me mesazhe dhe modele organizimi që nuk janë përshtatur mjaftueshëm me realitetin e mërgatës.
Megjithatë, diaspora nuk është një grup politikisht unik dhe mbështetja për një parti mund të ndryshojë me kalimin e kohës. Për partitë opozitare, sfida kryesore mbetet ndërtimi i besimit përmes një qasjeje më të vazhdueshme ndaj diasporës, jo vetëm gjatë fushatave zgjedhore. Në fund, vota e mërgatës tregon se ajo tashmë është një faktor i rëndësishëm politik dhe nuk mund të trajtohet më si një mbështetje dytësore” – përfundoi Jakupi për “Bota sot”.
