POLITIKATË FUNDIT

Kurti: Do të nisim programin “Superpuna për Gratë”, që garanton pagën minimale për gjashtë muaj

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të zgjerojë mbështetjen për gratë në biznes dhe në tregun e punës.

Në një postim në ‘Facebook’ pas konferencës “Gratë në Biznes – She Rises 2026”, ku morën pjesë rreth 300 gra nga fusha e ndërmarrësisë, institucionet dhe organizatat vendore e ndërkombëtare, Kurti tha se një grua ekonomikisht e pavarur është shtyllë e një familjeje të fortë, e një shoqërie përparimtare dhe e një ekonomie të zhvilluar.

Ai theksoi se Qeveria është e përkushtuar që mbështetja për gratë të mos mbetet vetëm në nivel deklarativ, por të përkthehet në programe konkrete, përfshirë subvencionimin e drejtpërdrejtë, lehtësimin e qasjes në financa, si dhe themelimin e Divizionit për Gratë Ndërmarrëse në agjencinë që po krijohet nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

Sipas Kurtit, në kuadër të mbështetjes së punësimit dhe zhvillimit ekonomik do të nisë edhe programi “Superpuna për Gratë”, i cili do të garantojë pagën minimale për gjashtë muaj për gratë që hyjnë ose rikthehen në tregun e punës.

Ai tha se programi do të krijojë përfitime si për punëmarrëset, ashtu edhe për bizneset.

Postimi i plotë i tij:

Rreth 300 gra nga fusha e ndërmarrësisë, nga institucionet dhe organizatat vendore e ndërkombëtare, morën pjesë në konferencën e parë “Gratë në Biznes – She Rises 2026”, që u mbajt dje në kryeqytet, nën organizimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

Një grua ekonomikisht e pavarur është shtyllë e një familjeje të fortë, e një shoqërie përparimtare dhe e një ekonomie të zhvilluar.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e bindur se barazia është parimi udhëheqës dhe rruga e vetme drejt progresit. Prandaj, jemi kujdesur që mbështetja jonë për gratë në biznese të mos mbetet vetëm deklarative, por të përkthehet në programe të dedikuara, si subvencionimi i drejtpërdrejtë dhe lehtësimi i qasjes në financa. Edhe gjatë këtij viti, do të vazhdojmë të zgjerojmë mbështetjen për bizneset, inovacionin, digjitalizimin dhe ndërmarrësinë e grave, përfshirë edhe themelimin e Divizionit për Gratë Ndërmarrëse, në Agjencinë të cilën po e krijon Ministria.

Në mbështetje të punësimit dhe zhvillimit ekonomik, do të nisë Programi “Superpuna për Gratë”, i cili do të garantojë pagën minimale për gjashtë muaj për gratë që hyjnë ose rikthehen në tregun e punës, duke krijuar përfitime si për punëmarrëset ashtu edhe për bizneset.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *