POLITIKATË FUNDIT

Halimi: Prania e NATO-s në Kosovë është më e rëndësishme se numri i ushtarëve – ja pse

Gjenerali Alexus G. Grynkeëich deklaroi se përmirësimi i situatës së sigurisë në Kosovë i ka mundësuar NATO-s të pezullojë forcat rezervë të KFOR-it dhe të nisë ripozicionimin e gradual të trupave gjatë vitit të ardhshëm, duke mbetur megjithatë e përkushtuar ndaj sigurisë në Kosovë.

“Gjatë viteve të fundit, situata e sigurisë në Kosovë ka shënuar përmirësim të vazhdueshëm. Si pasojë, në janar NATO pezulloi dislokimin e forcave rezervë për KFOR-in, duke i dhënë fund një periudhe mbi dyvjeçare rotacioni të vazhdueshëm. Duke qenë se stabiliteti mbetet i qëndrueshëm, Aleanca do të ndryshojë pozicionimin dhe gradualisht do të rregullojë madhësinë e forcës gjatë vitit të ardhshëm”, u shpreh Grynkewich.

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, thekson se prania e NATO-s në Kosovë është e rëndësishme vetë si prezencë, pa u matur domosdoshmërisht me numrin e ushtarëve në terren, sidomos në një situatë të qetë sigurie.

Ai gjithashtu e lidh këtë zhvillim me “pjekurinë” shtetërore të Kosovës dhe me avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës drejt shndërrimit të plotë në ushtri, duke theksuar nevojën që Kosova të përparojë njëkohësisht si në personel ashtu edhe në pajisje ushtarake.

“Rëndësia e prezencës së NATO-s në Kosovë nuk duhet matur me numrin e ushtarëve, së paku në situatën aktuale me një gjendje të qetë, nëse mund ta quajmë kështu; mjafton të jetë prezente në vend. Pastaj, shtimi i numrit të tyre natyrisht që bëhet varësisht vlerësimit të situatës.

Sigurisht që ky ripozicionim flet edhe për “pjekurinë” shtetërore të Kosovës apo rritjen e aftësimit për siguri dhe mbrojtje. Kjo ndoshta lidhet edhe me atë që FSK-ja është në fazën e fundit të kalimit në ushtri me krejt kapacitetet që i takojnë.

Padyshim që Kosova duhet paralelisht të përparojë me këtë zhvillim si në aspektin e personelit ashtu edhe të teknikës”, tha Halimi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *