POLITIKATË FUNDIT

Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK nuk jep efekt – dalin arsyet e forta

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar një rritje prej rreth 5 për qind në zgjedhjet e 7 qershorit, megjithatë ky rezultat është nën pritjet e mëhershme si brenda partisë ashtu edhe në opinionin publik.

Pritjet ishin që LDK të kalonte pragun prej 20 për qind dhe të pozicionohej si forca e dytë politike në vend, sidomos pas rikthimit të Vjosa Osmanit, që shihej si faktor për rritje më të madhe elektorale.

Megjithatë, rezultati nuk i ka përmbushur këto pritje, duke hapur debat për strategjinë dhe drejtimin e ardhshëm të partisë.

Analisti politik, Melazim Koci thotë se rezultati i LDK-së është dëshpërues, pasi ajo mbetet parti e tretë dhe nuk ka rritje reale të votës.

Sipas tij, rritja prej 4.5% vjen nga rënia e partive të tjera, ndërsa jo nga fuqizimi i LDK-së, duke e konsideruar këtë rezultat të pamjaftueshëm për ambiciet e saj politike.

“Rezultati i LDK-së është dëshpërues. Mbeten partia e tretë dhe nuk shtuan votën. Rritja e përqindjes (4.5) është produkt i rënies së dy partive të para dhe jo rritjes së votës për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në zgjedhjet komunale LDK fitoi Prishtinën, ndërsa tani raporti VV – LDK është 48% – 24% në favorin e Vetëvendosjes.

Nëse objektivi i LDK-së është që si parti e tretë në Kosovë të jetë e kënaqur, kjo është pastaj çështje tjetër”, tha ai për “Bota sot.

Kurse, sa i përket rikthimit të Vjosa Osmanit, ai thotë se ajo nuk i solli vota LDK-së dhe se është e fokusuar vetëm në postin e presidentes, jo në interesin e partisë.

Koci shprehet se, ajo e ka përjashtuar Lumir Abdixhikun nga kombinatorikat politike dhe po e dëmton LDK-në. Ai kërkon reagim nga udhëheqja dhe debat për përgjegjësitë në parti.

“Vjosa Osmani nuk i solli votë Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deklarata e saj se “VV tash nuk ka asnjë arsye për të mos e votuar atë presidente” dëshmon se asaj nuk i intereson fati i Lidhjes Demokratike, por ekskluzivisht posti i presidentes. Kjo nuk është në frymën e kësaj partie. Nuk është korrekte madje as në raport me Lumir Abdixhikun të cilin e përjashtoi nga çdo kombinatorikë e ardhshme qeverisëse.

Deklarimet dhe pozicionimi i Vjosa Osmanit tingëllon si marrje peng e LDK-së nga ana e saj, por pa i sjellë asgjë.

Në këto rrethana pres reagim të udhëheqjes dhe debat të bujshëm për përgjegjësitë dhe drejtimin e kësaj partie për periudhën e ardhshme”, theksoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *