Gashi kërkon vetëanalizë dhe reformim brenda LDK-së
Arben Gashi, ka thënë se zgjedhjet treguan refuzim të qytetarëve ndaj politikës së paaftë dhe mesazh kundër arrogancës, përçarjes dhe izolimit.
Ai tha se LDK mbetet forca më e qëndrueshme politike, por theksoi nevojën për vetëanalizë dhe ndryshime për të rikthyer besimin e qytetarëve.
Sipas tij, mbi 200 mijë qytetarë presin një alternativë të vërtetë dhe një LDK më përfaqësuese e konkurruese.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Këto zgjedhje lanë dy mësime të qarta.
Së pari, qytetarët e Kosovës refuzuan në mënyrë masive një politikë të paaftë për të komunikuar, për të qeverisur dhe për të bashkëpunuar. Ky nuk është vetëm një rezultat zgjedhor; është një mesazh i fuqishëm kundër arrogancës, përçarjes dhe izolimit. Politika duhet ta kuptojë këtë refuzim si shenjën e fundit të një lodhjeje të madhe qytetare. Në të kundërtën, rreziku i thellimit të krizës së besimit deri ne kryengritje politike do të rritet.
Së dyti, LDK dëshmoi edhe një herë se mbetet forca politike me strukturën më të qëndrueshme në Kosovë. Aktivistët, anëtarët dhe votuesit tanë e mbajtën gjallë me sakrificë besimin dhe votën. Për këtë u jam mirënjohës secilit.
Por besimi nuk mjafton. Ai na obligon.
Nëse duam të fitojmë, duhet të kemi guximin ta analizojmë veten. Duhet të debatojmë me maturi, të vendosim me mençuri dhe të veprojmë me vendosmëri. Vetëm kështu do ta rikthejmë besimin e atyre qytetarëve që sot ende na shikojnë me pritje.
Jam i bindur se mbi 200 mijë qytetarë që nuk morën pjesë në proces, por që e presin një alternativë të vërtetë, nuk kërkojnë thjesht një parti. Ata presin një LDK autentike: përfaqësuese, konkurruese, besnike ndaj idealeve rugoviane dhe të gatshme për ta udhëhequr Kosovën. Këtë ua kemi borxh atyre dhe çdo qytetari të këtij vendi.
Faleminderit secilit që votoi, secilit aktivist që punoi pa u lodhur dhe secilit mbështetës që qëndroi me LDK-në.
Unë besoj te Kosova. Besoj te qytetarët e saj. Besoj te LDK-ja. Dhe besoj se e ardhmja ndërtohet me guxim, me përgjegjësi dhe me vizion.
Elektorati foli. Tani radha është e politikës të dëgjojë.
Zoti e bekoftë Kosovën.
Zoti e bekoftë popullin tonë.
Zoti e bekoftë LDK-në.
