POLITIKATË FUNDIT

Legjenda e Zvicrës, befason futbollisten e Kosovës! Ja çfarë i tha

Kombëtarja e Zvicrës festoi një fitore të thellë 6:1 ndaj Maltës në Lugano, duke siguruar vendin e parë në grup dhe ngjitjen në Ligën A. Trajneri Rafel Navarro vlerësoi qëndrimin dhe energjinë e skuadrës së tij.

Zvicra mund të jetë e kënaqur me paraqitjen. Në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës, e zhvilluar në inaugurimin e stadiumit të ri AIL Arena në Lugano, helvetet triumfuan bindshëm ndaj Maltës me rezultat 6:1.

Me këtë fitore, Zvicra siguroi kreun e grupit dhe promovimin në Ligën A.

“Kjo do të thotë se kombëtarja zvicerane nuk do të përballet në “play-off” me kundërshtarë nga një ligë më e lartë – një avantazh i madh për futbollistet që synojnë kualifikimin në Kupën e Botës 2027 në Brazil”, ka shkruar media zvicerane “Blick”.

“As që e dija këtë. Është shumë mirë, por të gjitha duam të shkojmë në Botëror. Kështu që është edhe më mirë”, tha Aurelie Csillag pas ndeshjes.

Edhe trajneri Rafel Navarro mbeti i kënaqur, jo vetëm me lojën, por edhe me mënyrën si skuadra u paraqit në fushë.

“Jam shumë i lumtur. E pamë ekipin ashtu siç duam ta shohim.

Nuk e kam fjalën vetëm për mënyrën e lojës, por edhe për qëndrimin dhe energjinë që sollëm në fushë”, tha ai.

Ndërkohë, Riola Xhemaili kishte ndjenja të përziera për performancën e saj.

Ajo realizoi dy gola, por humbi një penallti.
Megjithatë, Xhemaili pati mundësinë të takojë një nga idhujt e saj të fëmijërisë, Valon Behramin.

Legjenda e futbollit zviceran Behrami e befasoi me fjalë.

“Ai më tha se edhe më të mirët humbasin penallti. Kur ta thotë këtë Valon Behrami, atëherë të bind pak më shumë”, u shpreh ajo me buzëqeshje.

Për penalltinë e humbur, Xhemaili shtoi:

“Nuk kam humbur kurrë penallti më parë, prandaj më nervozon edhe më shumë. Rafel më tha se nesër duhet të stërvitem.”

Kjo tingëlloi si një “stërvitje ndëshkuese” për autoren e dy golave.

Megjithatë, trajneri Navarro e sqaroi më vonë situatën në konferencën për shtyp:

“Vetëm bëra shaka me të.

Është një lojtare e shkëlqyer që shënon shumë gola. Me humor mundohem ta motivoj edhe më shumë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *