Elezi: Nga sot fillojnë afatet për zgjedhjet e 23 prillit në veri, këto janë datat me rëndësi
Elezi: Nga sot fillojnë afatet për zgjedhjet e 23 prillit në veri, këto janë datat me rëndësi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar zyrtarisht procesin për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit për kryetar të katër komunave (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) dhe të zgjedhjeve të parakohshme për dy kuvendet komunale (Zveçan dhe Leposaviq).
Këto zgjedhje planifikoheshin të mbaheshin më 18 dhe 25 dhjetor të vitit të kaluar, por u shtynë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për shkak të situatës së paqëndrueshme të sigurisë në atë pjesë të Kosovës.Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se KQZ-ja ka vendosur të gjitha afatet e aktiviteteve për organizimin e këtyre zgjedhjeve.
“Duke filluar nga sot, 9 mars, fillojnë afatet e aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale të dy komunave: Zveçan dhe Leposaviq. Të gjitha këto aktivitete i referohen afatit prej 45 ditësh, pra nga sot deri në ditën e zgjedhjeve”, tha Elezi.
Sipas Elezit për KQZ-në do të vlejë procesi i mëhershëm i certifikimit të kandidatëve për pjesëmarrje në procesin zgjedhor i planifikuar të mbahej gjatë dhjetorit të vitit të kaluar. Ajo çfarë duhet të bëjnë partitë politike është të konfirmojnë kandidatët e certifikuar.Po ashtu, për KQZ-në procesi i certifikimit nuk është i përfunduar, pasi ky institucion do t’ia mundësojë kandidimin për pjesëmarrje në zgjedhje edhe subjekteve politike që nuk kishin aplikuar gjatë asaj kohe,EO.
“Gjatë dy muajve të fundit të vitit 2022, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 11 kandidatë për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar në ndonjërën nga katër komunat dhe 63 kandidatë për të garuar në zgjedhjet për dy kuvendet komunale. Ky proces do të vlejë, çka do të thotë se subjektet politike do të munden që nga 9 deri më 13 mars të konfirmojnë kandidatët e certifikuar në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar. Ndërkohë, përveç konfirmimit të kandidaturave të certifikuara, KQZ-ja do të pranojë edhe aplikimet e reja nga partitë politike, kandidatët e pavarur, iniciativat qytetare apo koalicionet. Kjo do të mund të bëhet gjatë afatit 10 ditor, nga 9 deri më 18 mars”, shpjegoi Elezi.
Sipas vendimit të KQZ-së, deri më 24 mars ky institucion do të vendosë për aprovimin/refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve, ndërsa fushata zgjedhore është planifikuar të zgjasë 18 ditë, nga 4 prill deri më 21 prill.