POLITIKATË FUNDIT

Kush fiton, kush lufton për vendin e dytë dhe kush rrezikon pragun? Rambaja vjen me ‘parashikim’ të fortë për zgjedhjet

Që nga 28 maji kur edhe ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit, subjektet politike nuk kanë ndaluar aktivitetet e tyre në terren dhe jo vetëm.

Lëvizja Vetëvendosje e cila fushatën e saj e ka hapur në Ferizaj, me kandidatin e saj për kryeministër Albin Kurti, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për mandatin e ardhshëm, duke premtuar transformim ekonomik dhe industrial të vendit. Ai tha se në katër vitet e ardhshme do të investohet në ndërtimin dhe rinovimin e 20 stadiumeve, si dhe rreth një miliard euro në prodhimtari dhe ushtri.

Kurti gjithashtu përmendi funksionalizimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, një biletë të integruar të transportit publik me çmim 10 euro, si dhe lehtësime për bizneset e reja, përfshirë përjashtimin fillestar nga tatimet. Ndër premtimet e tjera ishin rritja e pagave dhe zgjerimi i pagesave shtesë për sektorin publik dhe privat.

Po ashtu ai premtoi edhe ndërtimin e spitaleve të reja.

Po në Ferizaj, fushatën e kishte filluar edhe PDK e cila me kandidatin për kryeministër, Bedri Hamza, u zotua për ulje çmimesh dhe tatimesh, rritje pagash dhe pensionesh, si dhe mbështetje për bizneset. Ai premtoi rritje prej 50% të pagave në sektorin publik dhe pensioneve, heqje të TVSH-së për produktet esenciale, grante për investime dhe mbështetje për prodhuesit vendorë. Hamza gjithashtu prezantoi plane për investime në energji, infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe drejtësi, duke theksuar rritjen e bursave, digjitalizimin e arsimit dhe forcimin e sistemit të drejtësisë.

Në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, e kishte hapur fushatën LDK, e cila bashkë me kryetarin e saj dhe kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhiku, prezantoi programin e fokusuar në mbështetjen e familjeve dhe përmirësimin e mirëqenies sociale. Ai premtoi 200 euro në muaj për çdo të posalindur gjatë vitit të parë, shtesa mujore për fëmijë deri në moshën 16 vjeç dhe dyfishim të pensioneve, duke synuar që asnjë pension të mos jetë nën 300 euro. Po ashtu, ai u zotua për paga më të larta në sektorin publik, përfshirë 1000 euro për mësuesit dhe 900 euro për disa kategori si policët, ushtarët dhe infermierët.

Ndërsa, AAK fushatën e kishte hapur në Gjakovë, ku kandidati i saj për kryeministër, Ardian Gjini, u fokusua në prioritetet e programit që përfshijnë sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe energjinë.

Gjersa fushata zgjedhore pritet të zhvillohet deri më 6 qershor, profesor, doktor, Sadri Ramabaja, për “Bota sot’, ka dhënë parashikimet e tij për secilën parti.

Ai konsideron se LVV mbetet favoritja kryesore.

“Pa pasur në dispozicion sondazhe të besueshme, të publikuara së fundmi dhe metodologjikisht të verifikueshme, çdo parashikim numerik mbetet spekulativ. Megjithatë, nga dinamika politike e muajve të fundit mund të bëhet një vlerësim i tendencave të mundshme. VV-ja mbetet favoritja kryesore. Pyetja nuk është nëse do të jetë e para, por sa larg do të jetë nga rezultati i zgjedhjeve të fundit. Nëse narrativa e “bllokimit institucional” vazhdon të dominojë debatin publik dhe përgjegjësia perceptohet si e opozitës, VV-ja mund ta rrisë mbështetjen”, deklaron Ramabaja.

ImageSadri RamabajaFoto galeri
Partia Demokratike e Kosovës, sipas Rambajës, është larguar nga çfarëdo gjase reale që ta kërcënojë epërsinë e VV-së dhe incidentin në Skenderaj ai e sheh si dëmtues të imazhit të kësaj partie.

“PDK-ja duket të jetë partia opozitare me potencialin më të madh për të ruajtur ose rritur lehtë rezultatin e saj. Sidoqoftë, incidenti në Skenderaj mund ta dëmtojë rëndë imazhin e saj edhe ashtu të dëmtuar. Ajo ka një strukturë të konsoliduar, elektorat relativisht stabil, por zgjedhjet e fundit ka marrë rrugën e AAK-së, duke u shndërruar në masë të ndjeshme në parti lokaliste, me bastion Drenicësn. Rrjedhimisht është larguar nga çfardo gjase reale që të krijojë një momentum të tillë që ta kërcënojë seriozisht epërsinë e VV-së”, shprehet profesori.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës sipas Rambajës, përballet me iluzionin e vetmashtrimit për rikthim në pozicion.

Sipas tij, gara e saj mbetet tek mundësia për ta marrë vendin e dytë.

“LDK-ja vazhdon të përballet me iluzionin e vetmashtrimit për rikthimit në pozicionin që kishte historikisht. Ajo ka elektoratin e vet tradicional, por vështirë se mund të zgjerohet ndjeshëm pa një narrativë të re politike dhe pa një figurë që mobilizon përtej bazës ekzistuese. Gjatë parafushtës dhe dy ditëve të para të fushatëz nuk ia ka dalë të paraqitet si alternativë e moderuar dhe institucionale, rrjedhimisht gara e saj mbetet tek mundësia për ta marrë vendin e dytë”, thekson Rambaja.

Sfida kryesore për AAK-në, sipas Rambajës, është ruajtja e elektoratit.

“Aleanca tradicionalisht mbështetet në bastione të caktuara rajonale dhe në profilin e liderit të saj, Ramush Haradinaj. Tani me ndryshimet e reja, me katapultimin e kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjinit, në krye të saj, sfida kryesore mbetet ruajtja e këtij elektorati. Në një garë të polarizuar mes VV-së dhe opozitës më të madhe, partitë e mesme zakonisht e kanë më të vështirë të fitojnë terren”, shton profesori.

Në fund, ai jep skenar të mundshëm politik dhe përqindjen.

“Një skenar i mundshëm politik!

Nëse do të përktheheshin tendencat aktuale në një projeksion të përgjithshëm, mund të imagjinohej një rezultat ku:

VV-ja mbetet qartë forca e parë [52-62 përqind]

PDK-ja ripozicionohet sërish si forca e dytë;

LDK-ja mbetet forca e tretë me diferencë të vogël nga PDK-ja;

Aleanca me gjas reale që mos ta kaloj pragun elektoral.

Ajo që do ta përcaktojë raportin final të forcave nuk është vetëm performanca e VV-së, por edhe nëse opozita arrin të bindë votuesit se përfaqëson një alternativë qeverisëse reale dhe jo thjesht një front kundër Kurtit. Nëse kjo nuk ndodh, ekziston mundësia që fragmentimi i opozitës t’i japë VV-së një rezultat edhe më të lartë sesa ai që do të prodhonin vetëm meritat e saj qeverisëse”, përfundon Rambaja.

Kujtojmë se kostoja buxhetore e zgjedhjeve të parakohshme është 10 milionë e 887 mijë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *