POLITIKATË FUNDIT

Çka pritet nga vizita e Antonio Costa-s në Kosovë?Analistët flasin për integrimin dhe masat e BE-së

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka nisur një tur diplomatik në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të angazhimeve të Bashkimit Evropian për rajonin.

Gjatë kësaj vizite rajonale, Costa do të qëndrojë edhe në Kosovë. Sot, më 3 qershor, presidenti i Këshillit Evropian pritet të vizitojë Prishtinën, ku do të zhvillojë takime me liderët institucionalë të vendit.

Vizita e tij vjen në një periudhë me zhvillime të rëndësishme politike dhe në kohën kur Kosova po synon avancimin e integrimit evropian dhe forcimin e raporteve me partnerët ndërkombëtarë.

Costa ka vizituar Shqipërinë, ku është takuar me presidnetin shqiptar, Bajram Begaj, po ashtu takim ka pasur edhe me kryeministrin Edi Rama.

Nimani: Në aspektin diplomatik, kjo është një nga vizitat më të rëndësishme të një zyrtari të lartë evropian në Kosovë gjatë këtij viti

Fillimisht, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, analisti politik, Artan Nimani e vlerësoi si të rëndësishme vizitën e presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Kosovë.

ImageArtan NimaniFoto galeri
Ai u shpreh se, kjo vizitë tregon se Kosova vazhdon të mbetet në agjendën strategjike të Bashkimit Evropian.

Nimani theksoi se, gjatë takimeve pritet të diskutohen integrimi evropian, dialogu me Serbinë dhe mundësia e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës.

“Vizita e presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, është e rëndësishme për Kosovën sepse përçon një mesazh të qartë se Kosova mbetet në agjendën strategjike të Bashkimi Evropian.

Nga kjo vizitë pritet të diskutohen procesi i integrimit evropian, reformat, dialogu me Serbinë dhe mundësia e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës. Megjithëse nuk priten vendime të menjëhershme, vizita mund të kontribuojë në forcimin e mbështetjes politike të BE-së për Kosovën dhe në përshpejtimin e rrugës së saj evropiane”, tha ai.

Mes tjerash, Nimani potencoi se vizita paraqet mundësi për forcimin e mbështetjes evropiane ndaj Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe integrues.

“Në aspektin diplomatik, kjo është një nga vizitat më të rëndësishme të një zyrtari të lartë evropian në Kosovë gjatë këtij viti.

Nga aspekti politik dhe ekonomik, vizita është një mundësi që Kosova të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj reformave dhe të kërkojë mbështetje më të madhe evropiane për investime, zhvillim institucional dhe integrim gradual në tregun dhe programet e BE-së”, përfundoi ai për “Bota sot”.

Burjani: Edhe BE-ja pak a shumë është përgjegjëse për agjendën integruese jo vetëm të Kosovës

Kurse, edhe njohësi i politikës, Blerim Bujrani në një prononcim për “Bota sot”, foli për rëndësinë e vizitës së Costa-s.

Së pari, ai vlerësoi se Kosova ende nuk ka arritur stabilitet institucional dhe po përballet me pengesa në rrugën drejt integrimeve evropiane.

ImageBlerim BurjaniFoto galeri
Sipas tij, edhe BE-ja mban përgjegjësi për vonesat përmes kushteve dhe standardeve të vazhdueshme, ndërsa problemet e brendshme politike po e vështirësojnë edhe më shumë situatën.

“Është me rëndësi të veçant për shtetin, i cili nuk po arrin të bëhet i qëndrueshëm, me institucione funksionale për të ecur përpara në integrimet evropiane. Edhe BE-ja pak a shumë është përgjegjëse për agjendën integruese jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit, kur të merren parasysh lojërat politike me kriteret apo standardet që ka vendosur.

Pra, e vetmja Kosova ka mbetur ende pa fituar statusin e kandidatit, duke kushtëzuar BE-ja, pastaj duke kushtëzuar edhe Këshilli i Evropës për anëtarësim, pra kushte mbi kushte. Tash kemi edhe probleme të brendshme me mënyrën e të menduarit politik dhe zgjidhjeve për problemet”, deklaroi ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *