POLITIKATË FUNDIT

Afërsia Rama–Vuçiq, mbështetet deklarata e fundit e Kurtit – opinionisti zbërthen prapaskenat

Në paraqitjen e tij të fundit televizive, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për raportet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ai theksoi se mes tyre ekziston komunikim i rregullt, por edhe dallime në qasje, veçanërisht për çështjet që lidhen me Serbinë.

“Edi Ramën marrëdhëniet i kemi të mira. Kjo s’do të thotë që pajtohemi për të gjitha çështjet, në veçanti për shembull me qëndrimin tonë karshi Beogradit zyrtar. Ne kemi ndjeshmëri tjetër, aty dallojmë”, u shpreh Kurti.

Këtë deklaratë të Kurtit, e komentoi për “Bota sot” opinionisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti.

ImageSkënder Kapiti.Foto galeri
Ai u shpreh se ekzistojnë dallime të theksuara mes Kurtit dhe Ramës në raport me interesin kombëtar, duke mbështetur qëndrimin e kryeministrit të Kosovës.

“Parimi i Kurtit është e vërteta kombëtare; ai ka përparësi interesin kombëtar, dhe ky është dallimi thelbësor mes tij dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Megjithatë, është për të ardhur keq që as mediat dhe as shoqëria shqiptare nuk e kanë kundërshtuar, përveçse shumë rrallë dhe sipërfaqësisht, qëndrimin pro-Beogradit të Ramës në lidhje me Kosovën”, deklaroi opinionisti.

Sipas tij, mediat dhe shoqëria në Shqipëri nuk kanë reaguar mjaftueshëm ndaj disa vendimeve dhe qëndrimeve të kryeministrit Rama që, sipas tij, kanë ndikuar negativisht në raportet me Kosovën.

Kapiti përmendi si shembuj afrimin e Ramës me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, projektin e “Mini-Shengenit”, vendosjen e taksës në “Rrugën e Kombit”, si dhe deklarata të ndryshme të kryeministrit shqiptar lidhur me Kosovën.

Ai gjithashtu vlerësoi se, qëndrimet e Kurtit po ndikojnë në rritjen e ndjeshmërisë kombëtare në Shqipëri, ndërsa kritikoi mungesën e debatit publik për çështjet e përmendura më sipër.

“Kurti po zgjon patriotizmin në Shqipëri, po zgjon shoqërinë shqiptare në Shqipëri, e cila, mjerisht, nuk e kundërshtoi kryeministrin e zgjedhur prej saj.

Shoqëria dhe mediat në Shqipëri nuk i kanë kundërshtuar asnjëherë dëmet që Rama i ka bërë Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi; nuk e kundërshtuan kur Rama vendosi traun ndarës dhe taksën-gjobë për shqiptarët e Kosovës në “Rrugën e Kombit”; nuk e kundërshtuan as kur Rama mbështeti fuqishëm copëtimin e Kosovës; nuk e kundërshtuan qeverinë dhe kryeministrin Rama për projektin e tij anti-Kosovë të Minishengenit; nuk e kundërshtuan shoqëria dhe mediat e Tiranës sanksionet e Edi Ramës kundër Kosovës; nuk e kundërshtuan shoqëria dhe mediat në Shqipëri afrimin e tij me Aleksandar Vuçiqin, as faktin që Rama nuk e njeh gjenocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës, përderisa nuk është miratuar as rezolutë parlamentare që dënon gjenocidin serb; nuk e kundërshtuan në Shqipëri as deklarimin e tij se veriu i Kosovës është “tokë e askujt””, përfundoi Skënder Kapiti për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *