OPINIONTË FUNDIT

Gazetari Hoxha zbardh skandalin me Aeroportin e Vlorës, si koncesioni u gatua tek zyra e Belinda Balluku dhe kush i…

Gazetari i njohur, Poli Hoxha ka zbërthyer prapaskenat dhe ngërçin e madh që ka përfshirë koncesionin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Duke komentuar përplasjet mes aksionerëve, gazetari Hoxha hodhi akuza të forta ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar “zyrën e Ballukut” si vendin ku u “gatua” koncesioni.

Më tej gazetari u ndal te skema e transferimit të kuotave të kompanisë koncesionare “Vlora International Airport” (VIA). Në fillim, kompania turke “Yda Group” zotëronte 40% të aksioneve, të cilat më pas ia shiti kompanisë “Mabco Construction” të Behgjet Pacollit duke bërë që ky i fundit të marrë 98% të koncesionit, ndërsa 2% mbetën te “2A Group” e Valon Ademit. Sipas Hoxhës, kjo vlerë shitjeje është skandaloze kur krahasohet me vlerën reale strategjike të projektit.

“Ky koncesion i madh është vendosur në zyrën e Belinda Ballukut, si muhabet kafeje. 40% i 700 milionë eurove që është parashikuar nga studimi strategjik është rreth 280 milionë euro. Ta shesësh këtë vlerë për vetëm 3 mln euro, ka diçka të madhe që nuk shkon këtu! Gjithçka fillon në zyrën e Ballukut. Ajo duhet ta dijë mirë dhe të tregojë se përse u shit kështu dhe i kujt ka qenë de facto ky aksion prej 40%? A ka qenë i Erdoganit, a ka qenë i Belindës?

A doli Pacolli nga fjala dhe këta ia bllokuan projektin? Policia e Shtetit veproi egër kundër punonjësve të Pacollit në Vlorë duke i lënë jashtë kantierit. Por kush e urdhëron Policinë e Shtetit të bëhet palë në një konflikt privat aksionerësh? E urdhëron Balluku. Kjo tregon qartë se shteti ka hyrë në lojë për të mbrojtur interesat e njërës palë”, deklaroi teksa ishte i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në “News 24”.

Aeroporti i Vlorës, historia dhe përplasjet

Ndërkohë kujtojmë se projekti për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës nisi si një ndërmarrje strategjike për turizmin, por rrugëtimi i tij u shoqërua nga debate të vazhdueshme mjedisore dhe administrative. Nga fazat fillestare deri në ndërtimin e kantierit në Akërni, projekti u përball me vështirësi të shumta që kulmuan me konfliktin mes autoriteteve shtetërore dhe konsorciumit ndërtues.

Behgjet Pacolli, nëpërmjet kompanisë “Mabco Constructions”, është përplasur hapur me qeverinë, duke pretenduar se është penguar vazhdimisht në zbatimin e detyrimeve kontraktuale dhe se ndaj tij është ushtruar presion i padrejtë. Gjykata e Lartë, përmes një vendimi të rëndësishëm, i dha të drejtë kompanisë së Pacollit në kontestet e lindura, duke mbështetur pretendimet e investitorit për pengesat e hasura gjatë punës.

Pas këtij vendimi, Pacolli reagoi me tone të ashpra, duke denoncuar përpjekjet për t’i bllokuar punën dhe duke kërkuar respektimin e plotë të kontratës pa ndërhyrje politike. Nga krahu tjetër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka mbajtur një qëndrim tejet të ashpër, duke i dhënë ultimatum publik si Pacollit, ashtu edhe z. Ademi, për të përshpejtuar ritmet dhe për të përmbushur detyrimet brenda afateve strikte.

Ministria ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë asnjë vonesë të mëtejshme, duke theksuar se projekti i aeroportit është interes kombëtar që tejkalon mosmarrëveshjet private. Ky ultimatum përforcon klimën e tensionuar mes palëve, ku secila akuzon tjetrën për dështimin në respektimin e marrëveshjes.

Tensionet e fundit kanë bërë që e ardhmja e këtij kantieri të mbetet në pikëpyetje, ndërsa publiku pret të shohë nëse palët do të gjejnë një kompromis apo nëse procesi do të eskalojë sërish në gjykata. Kjo sagë, mes vendimeve gjyqësore dhe ultimatumeve ministrore, mbetet një nga çështjet më të ndjeshme dhe të monitoruara në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *