Kosova merr nën kontroll hekurudhat në veri, Bytyçi kujton panikun nga treni i Vuçiqit dhe ‘godet’ opozitën
Marrja nën kontroll e objekteve dhe pronave hekurudhore në Zveçan dhe Leposaviq nga autoritetet e Kosovës përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet për shtrirjen e sovranitetit dhe funksionimin e plotë të institucioneve shtetërore në veri të vendit.
Megjithatë, masa pritet të ketë ndikim edhe në aspektin politik dhe të sigurisë, duke ngjallur reagime të ndryshme nga komuniteti serb lokal dhe faktorët ndërkombëtarë.
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi, i cili fillimisht rikujtoi kohën kur Vuçiq kishte urdhëruar që një tren i Serbisë të nisej nga Beogradi e të vinte në Mitrovicë.
ImageEnver BytyçiFoto galeri
Ai këtë e përmendi për të kujtuar sipas tij, situatën në të cilën ishte veriu i Kosovës në kohën e ish-qeverive të kaluara.
“Qeveria e Kosovës mori këto ditë nën kontrollin e saj hekurudhën dhe asetet që lidhen me të në dy komunat e veriut, përkatësisht në Zveçan dhe Leposaviq. Ne dikur ramë në panik, kur Aleksandër Vuçiq pati urdhëruar që një tren i Serbisë të nisej nga Beogradi e të vinte në Mitrovicë. Asokohe ai tren u ndal në Rashkë, vetëm 30 km larg kufirit me Kosovën. Është thënë se trenin e konflitit të Vuçiq në atë rat e ndaloi presidenti i Turqisë, Rexhep Tayp Erdogan, i cili e paralajmëroi presidentin e Serbisë. Ne nuk e dimë nëse kjo ishte ose jo e vërtetë, por e dimë se kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi ishte gjithashtu në panik. Nuk dihej se çfarë kishte në vagonat e atij treni, armë, terroristë, apo çfarë tjetër?!
E përmenda atë ngjarje për të kujtuar se në çfarë situate ishte veriu i Kosovës në kohën e qeverisjes së PRONTO-s. Në një situatë të pashpresë dhe që e tmerronte lidershipin e Kosovës. Aq shumë qenë tmerruar politikanët në qeverisje të Kosovës, sa për ta larguar ankthin e “sulmeve serbe kundër Kosovës” thanë “Hajde ta ndajmë Kosovën e t’i vemë kufijtë me Serbinë! Pastaj biem rehat prej saj”! Duke harruar se pas ndarjes së veriut, Beogradi do ta kërkonte edhe një pjesë të madhe të territorit tjetër në Kosovë me preteksin se aty “janë varret, si dhe kishat e manastiret e Serbisë”!”.
Krahas kësaj, Bytyçi foli për ndryshimin e madh që ka ndodh në këtë pjesë të Kosovës, pas ardhjes në pushtet të Kurtit, ku tha se tani qytetarët nuk kanë më frikë.
Madje, ai lajmin për marrjen nënkontroll të objekteve dhe pronave hekurudhore në Zveçan dhe Leposaviq e cilësoi si shumë të mirë, ku shtoi se pas kësaj, fillon dhe funksionon ndryshe vetë shteti dhe mendësia e qytetarëve.
“Prej 5-6 vitesh askush prej qytetarëve të Kosovës nuk ka qenë në ankth për ndonjë “tren” serb të mbushur me terror dhe terroristë. Sidomos prej 23 shtatorit të vitit 2023, kur u asgjësua grupi paraushtarak terrorist i Serbisë në Banjskë, ankthi dhe frika janë larguar. Sepse kryeministri i Kosovës dhe qeveria e koalicioni i tij qeverisës nuk patën më frikë prej Beogradit dhe Aleksandër Vuçiq. Largimi i frikës prej tyre po sjell tani edhe kthimin në pronësi të shtetit të Kosovës të rrjetit hekurudhor dhe aseteve të tjera të hekurudhave në këto komuna.
Është një lajm i mrekullueshëm, që rikthen besimin e plotë të qytetarëve të Kosovës, përfshirë dhe serbëve, te qeveria dhe institucionet e Kosovës. Nëse nuk do të ndodhte kjo, sovraniteti i shtetit në komunat e veriut do të ishte sadopak i cënuar. Me vendosjen e kësaj pasurie kombëtare në pronësi dhe kontroll të shtetit, fillon dhe funksionon ndryshe vetë shteti dhe mendësia e qytetarëve. Pa autoritetin e shtetit në pasuritë e tij publike, siç janë hekurudhat, nuk ka e nuk mund të ketë sovranitet të tij. Nuk ndodh në asnjë vend të botës që autostradat, hekurudhat, bankat dhe pasuritë e tjera jetike të një shteti t’i administrojë një shtet tjetër, në rastin konkret shteti i Serbisë. Me këtë akt Serbia detyrohet jashtë vullnetit të saj ta njohë dhe respektojë shtetësinë e Kosovës”, shtjello ai.
Më tej, profesori tha se marrja nënkontroll e hekurudha u bë me veprime normale dhe pa imponim.
Megjithatë, ai paralajmëroi se akterë të opozitës mund ta kritikojnë një gjë të tillë, madje edhe mund të thonë se “Qeveria Kurti ushtron dhunë kundër serbëve”.
“Impakti i këtij akti është shumë më i madh në opunionin publik. Qytetarët e Kosovës prej sot janë të vetëdijshëm se tashmë institucionet e shtetit janë të pranishme në çdo cep të territorit të vendit. Ktijimi i klimës së besimit është detyrë e qeverisë dhe mazhorancës. Pikërisht këtë rol nuk e patën luajtu mazhorancat 13 vjeçare të mëparshme. Megjithatë ato mazhoranca, të cilat sot janë në opozitë në Kosovë, vazhdojnë ta anatemojnë suksesin e qeverisë Kurti në rivendosjen e autoritetit të shtetit në të gjithë territorin e vendit. Thonë se “Asgjë nuk ka ndryshuar në veri të vendit”! Thonë gjithashtu edhe se “Territori nuk kontrollohet vetëm me polici”! Që do të thotë se kjo opozitë është e përcaktuar për praninë e shtetit serb të Beogradit në veri dhe pjesë të tjera të territorit.
Kthimi i pasurive të hekurudhave të veriut në duart e shtetit është realizuar me veprime normale, pa kurrëfarë imponimi, aq më pak të dhunshëm. Kjo ka ndodhur edhe në rastet e mëparshme për eleminimin e strukturave serbe në Kosovë, ose për shtetëzimin e postave, bankave, përdorimin e kontrolluar të monedhave, përdorimin e simboleve si dhe ligjeve kushtetuese dhe jokushtetuese. Por ka patur eksponentë të opozitës që veprimet e qeverisë Kurti për sovranitet të plotë në veri t’i kenë krahasuar me veprimet e Milosheviçit kundër shqiptarëve pas heqjes së autonomisë më 23 mars 1989. Edhe kësaj radhe do të përpiqen të thonë se “Qeveria Kurti ushtron dhunë kundër serbëve”, pikërisht atë që thotë edhe Aleksandër Vuçiq kundër kryeministrit të Kosovës. Do të thonë se “Nuk ishte ndonjë gjë e madhe kthimi i hekurudhës nën autoritetin e qeverisë”, sepse për opozitën e sotme të Kosovës “nuk ishte gjë e madhe as ndarja e Kosovës”!” – paralajmëroi ai.
Në fund, profesori shtoi se, ndërkombëtarët dhe opozita që kanë kundërshtuar tash e sa kohë veprimet e qeverisë Kurti në veri duhet të kërkojnë ndjesë dhe t’i mbështesin ato.
“Nëse politikanët në opozitë duan të forcojnë besimin e tyre te qytetarët, ata domozdoshmërisht duhet të njohin sukseset e qeverisë Kurti në vendosjen e sovranitetit shtetëror në Kosovë. Opozita dhe ndërkombëtarët që kanë kundërshtuar aksionet politike e deri policore për vendosjen e autoritetit të shtetit në veri, sot dihet të kërkojnë ndjesë pse asokohe e kundërshtuan Albin Kurtin. Duhet të thonë hapur se ishin të gabuar në vlerësimet dhe qëndrimet e tyre. Duhet ta thonë hapur se kanë vepruar me pa të drejtë kur i vendosën Kosovës masa shtrënguese etj”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.
